Darwin Nunez, 100 milionëshi që 5 vite më parë kërkonte të braktiste karrierën, sot lojtari më i shtrenjtë i Liverpoolit
Sot është lojtari më i shtrenjtë i Liverpoolit ku do të transferohet për rreth 100 milionë euro nga Benfica por vetëm 5 vite më parë ai nuk ishte një lojtar që të gjithë e merrnin në konsideratë. Në moshën 17-vjeçare, Darwin Nunez mendonte ta braktiste futbollin për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju.

E nisi karrierën me klubin e Penarol në Uruguaj ku trajneri Jose Perdomo e zbuloi ndërsa trajneri i Kombëtares U-20, Fabian Coito nuk e braktisi asnjëherë edhe në një moment kur shumë pak njerëz besonin te aftësitë e tij.

Pasi u transefrua te Penarol lojtari e kishte shumë të vështirë ambjentimin pasi u zhvendos nga qyteza e tij rreth 400 km më në perëndim drejt kryeqytetit. Në vitin 2017 ai këputi ligamentet dhe pas operacionit u bashkua me mamanë dhe vëllezërit në Artigas.

Iu desh rreth 1 vit për t’u rikthuer në fushën e lojës dhe edhe pse gjuri i dhimbte ende, ai punoi fort për të debutuar me skuadrën e parë të Penarol. Pak ditë më vonë u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje tjetër.

Ky ishte momenti kur trajneri Perdomo e bindi për të mos e braktisur futbollin. Më pas, lojtari u transferua te Almeria në Spanjë, skuadër që i ndezi dritën jeshile për futbollin e rëndësishëm sepse ishte Benfica që besoi tek aftësitë e tij dhe sot Liverpool do t’i besojë çelësat e majës së sulmit.
Një histori frymëzueze që mund të ndihmojë mijëra të rinj për të mos hequr dorë nga ëndrra e tyre, pavarësisht vështirësive të mëdha me të cilat mund të përballen në vitet e para të karrierës së tyre.
