Garanci nga shteti për rezervat/ Komisioni i Ligjeve diskuton fondin për kompanitë që importojnë prodhime

Bord i Transparencës ishte zgjedhja që qeveria vendosi për mbajtur nën kontroll çmimet e produkteve dhe të shportës në Shqipëri. Akti normativ është diskutuar sot në Komisionin e Ligjeve ku u vu theksi edhe tek garantimi i fondev për subjektet që kërkojnë të importojnë më shumë ushqime për të siguruar rezeva të larta.

Enkelejd Alibeaj, deputet i PD, u shpreh: Por cila ka qenë nevoja apo pengesa që të mos e miratonte qeveria dhe më pas ta sillte në parlament, në rrugë normale projektligjin. Kritere politike, ka biznese të implikuara me qeverinë, ka ndihmë, ndërkohë që biznese jo të implikuara me qeverinë nuk marrin asnjë llojë ndihme?

Klodiana Bushka, kryetare e Komisionit të Ligjev, tha:Duhej të hynte në fuqi menjëherë për të pasur mundësinë e krijimit të likuiditeteve që do ti duheshin bizneseve. Nuk është fare koha të bëjmë këtu ironi politike për të pasur rezervat ushqimore.

Kesjana Halili, Drejtoreshë e Përgjithshme e Borxhit Publik dhe Bashkërendimin të Ndihmës së Huaj, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë u shpreh: Po nevoja lindi që atëherë për ta bërë ligjin më fleksibël për të mbështetur bizneset me instrumenta të garancive shtetërore. Përfitojnë nga garancia shtetërore bizneset që prodhojnë dhe importojnë produktet bazë që janë, mielli masiv, orizi, vaj luledielli dhe sheqeri pra vetëm këto biznese që futen në këtë kategori, do të mbështeten me një garanci shtetërore prej 60 %. Kjo garanci shtetërore miratohet nga këshilli i ministrave dhe nënshkruhet nga Ministri i Financave.