U kërkua ‘koka’ e Ilir Beqjas, pse Rama u ankua për SPAK-un më 11 maj
Më 11 maj 2022, kryeministri Edi Rama mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë e Partisë Socialiste, ndërsa kishte në krahun e majtë ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. Përmbledhja e konferencës së gjatë për shtyp ishte se PS-ja dhe qeveria e saj ishin goditur shumë nga SPAK, duke zorëzuar në burg ministra, deputetë, kryetarë bashkish e drejtorë, dhe se tani kjo strukturë duhet ta mbyllte me kaq, për të vijuar goditjen e korrupsionit nga kampi tjetër, figura të vjetra dhe të reja të opozitës së djathtë, që kanë patur pushtetin herën e fundit në vitet 2005-2013.
“(SPAK) siç po vjen në anën tonë, duhet të shkojë në çdo anë. Nuk duam një drejtësi të pjesshme dhe të njëanshme… …kur ne qepim gojën, kur një grua arrestohet për një arkë peshk, dhe pavarësisht disproporcionalitetit në raport në të tërën, themi, edhe arka e peshkut është shkelje,- deklaroi Rama atë ditë, duke u ankuar për ish-zëvendësministren e brendshme Rovena Voda, e cila u akuzua dhe dënua në shkallë të parë për përvetësimin e 1 mijë eurove, një celulari dhe një arke me peshk nga një aplikante për vend pune nën premtimin e mbështetjes për punësim në shtet.
Më tej Rama vazhdoi se: “Qëndrimi im në Asamblenë Kombëtare të PS-së lidhur me nevojën që SPAK-u të hetojë në mënyrë gjithëpërfshirëse korrupsionin e politikanëve dhe gjykatësve e prokurorëve të korruptuar të cilët si të tillë janë përjashtuar nga procesi i vettingut”, duke kërkuar hapur hetimin e tragjedisë së Gërdecit të vitit 2008, kur u vranë 26 shtetas e u plagosën mbi 300 të tjerë, si dhe vrasjen e 4 protestuesve në bulevard më 21 janar 2011, gjatë protestës së thirrur nga PS-ja e Ramës, atëherë në opozitë.
Kryeministri Rama dhe ministri Manja, gjatë konferencës më 11 maj
Konferenca e shtypit e Ramës reflektonte edhe përplasjen me ambasadoren e SHBA-së Yuri Kim, e cila vetëm një ditë para daljes së kryeministrit, deklaronte se “drejtësia do të quhet e suksesshme kur të mos mendojmë më se është me vend që udhëheqës politikë në pushtet apo jashtë pushtetit të bëjnë thirrje për ndjekjen penale të këtij apo atij; të thuhet se drejtësia jepet vetëm kur në burg futet tjetri dhe se drejtësi nuk bëhet kur në burg futen të mitë. Kjo nuk është drejtësi; nuk janë këto standardet që duam t’ju ndihmojmë të arrini në Shqipëri. Dhe mendoj se nuk janë këto standardet që populli shqiptar kërkon kur flet për reformë në drejtësi.”
Rama, në krahun e djathtë të ministrit të Drejtësisë, iu përgjigj diplomates amerikane se deklarata e tij nuk mund të konsiderohet presion ndaj SPAK përderi sa edhe ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për hetimin e korrupsionit. “Mua nuk më jep leksione askush për ndërhyrje, as shqip, as anglisht, as frengjisht,”-tha ai.
Nuk ishte e vështirë që të kuptohej se duhet të kishte qenë një “forcë madhore” ajo që e kishte detyruar kryeministrin të dilte hapur kundër “drejtësisë së re”, me të cilën krenohet shumica qeverisëse dhe të orientonte që arrestimet e reja duhet të ndërronin “seli”, nga ajo e PS-së te ajo e PD-së apo e LSI-së.
Ditë pas konferencës së shtypit u uludua se SPAK kishte kërkuar arrestimin e zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, i përfolur si miku i bosëve të inceneratorëve, si Mirel Mërtiri, dhe njeriu kyç në aferën që ka çuar deri më sot në burgosjen e ish-ministrit Koka, ish-deputetit Bllako, drejtorëve dhe shpalljen në kërkim të bosëve të impianteve që do të marrin nga buxheti i shtetit të paktën 420 milionë euro, sipas një auditimi të KLSH-së.
Por, një anëtar i Grupit Parlamentar të PS-së, tregoi për gazetën “Shekulli” se zyrtari që ishte në plan për t’u çuar përpara drejtësisë ishte Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë dhe aktualisht drejtor i Agjencisë për Donacionet e Huaja, krijuar nga qeveria në nëntor 2021.
Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhe ish-ministri Beqja, gjatë një vizite në pavionin e hemodializës, në QSUT.
Arrestimi i Beqjat do të bëhej për dosjen e “sterilizimit”, për të cilën, në prill 2022, burime pranë prokurorëve të SPAK-ut shpreheshin se hetimet ishin drejt fundit dhe dosja pritej t’i kalonte Gjykatës së Posaçme për gjykim. Dosja për koncesionin e sterilizimit, e firmosur në kohën kur Ministër i Shëndetësisë ishte Ilir Beqja, ishte voluminoze dhe prokurorët ishin në afatet përfundimtare të saj, për të dalë me një vendim për personat që kanë abuzuar me këtë koncesion, zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë, që pritej të procedoheshin nga Prokuroria e Posaçme, me akuzat për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
“Sterilizimi” ishte dosja e parë e dorëzuar në SPAK, më 23 dhjetor 2019, vetëm katër ditë nga ngritja e organit të ri të akuzës dhe ishte marrë përsipër nga Nisma ‘Thurje’, që kallëzoi penalisht zyrtarët e përfshirë në dhënien me koncesion të procesit të sterilizimit, me në krye ish-ministrin Ilir Beqja.
Atë ditë, pas dorëzimit të dosjes, përfaqësues të Nismës “Thurje”, Endri Shabani dhe mjeku Artan Koni deklaruan se kërkuan hetimin e zyrtarëve duke nisur nga ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja, të cilët kanë abuzuar me buxhetin e shtetit. Sipas tyre ku koncesion është i panevojshëm pas sjell çmime më të larta, është 10-vjeçar duke kaluar edhe afatin e mandatit të qeverisë dhe ngre detyrime vetëm ndaj shtetit shqiptar dhe jo ndaj palës tjetër të përfshirë në kontratë.
Sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kontrata e sterilizimit është hartuar në kushte favorizuese vetëm për koncesionarin dhe pritet të sjellë probleme në vazhdimësi për financimin e saj.
Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja e ka mbrojtur publikisht kontratën. Duke iu përgjigjur agjencisë BIRN, pak kohë më parë, Beqja deklaronte se: “Kanë kaluar tashmë më shumë se 4 vjet nga ndërhyrja e parë kirurgjikale e realizuar me këtë shërbim të ri, por në dijeninë time asgjë nuk ka shkuar keq. Përkundrazi, tashmë është e provuar se shërbimi kirurgjikal në çdo sallë operacioni të Shqipërisë është ndryshuar radikalisht dhe se çdo kirurg apo obstretër në Shqipëri operon në kushte shumë më të mira steriliteti me instrumenta kirurgjikale të gjeneratës së fundit”.
Kontrata e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale, me vlerë rreth 100 milionë euro, është një prej 4 projekteve të Partneritetit Publik-Privat me mbështetje buxhetore në sektorin e shëndetësisë, nga kryeministri Edi Rama pas ardhjess së tij në pushtet në vitin 2013. Ajo u firmos në dhjetor 2015 mes ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe kompanisë koncesionare SaniService –aksionerët e së cilës janë Investital LLC dhe kompanitë italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l”.
Paketën më të madhe me 40 për qind të aksioneve e zotëron Investital LLC- një kompani e vogël e themeluar me kapital 1 mijë euro në Kosovë nga Ilir Rrapaj. Kompania koncesionare e nisi punën nga një stacion modern sterilizimi i ndërtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me kredi të qeverisë shqiptare, por që nuk ishte vënë për asnjë ditë në punë. Sipas KLSH-së, pajisje me vlerë mbi 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë.
Qendra e sterilizimit ishte ndërtuar në vitin 2009 përmes një kredie që qeveria shqiptare kishte marrë në Bankën e Këshillit të Europës –CEB. Transferimi i saj nën administrimin e koncesionarit u bë pjesë e hetimit të kryer nga Prokuroria e Tiranës –i cili u pushua në shtator 2016 pa pasoja, raportoi BIRN në atë kohë. Anëtarët e komisionit që përgatiti studimin e fizibilitetit për koncesionin e sterilizimit i thanë Prokurorisë se qendra nuk ishte vënë në punë prej tetë vitesh për shkak të mungesës së stafit të trajnuar. Ata e përdorën atë si një argument më shumë se pse shërbimi duhej dhënë me koncesion. Dokumentet e hetimit treguan se Ministria e Shëndetësisë e paracaktoi dhënien e shërbimit me koncesion dhe u përball me hezitimin e ish-ministrit të Financave, Shkëlqim Cani për ta miratuar atë.
Dy ish-ministrat shkëmbyen korrespondencë nga tetori 2015 deri në janar 2016, ku Cani kërkoi fillimisht që të argumentohej se pse ishte zgjedhur koncesioni dhe jo prokurimi i zakonshëm, duke paralajmëruar gjithashtu rritjen e kostove përtej tavaneve buxhetore, por, megjithatë, e miratoi kontratën me kushtin që financimi i projektit të respektonte në mënyrë rigoroze limitin buxhetor të parashikuar për këto shërbime. Sipas mjekut Koni, sterilizimi i pajisjeve kirurgjikale me autoklavë do të kushtonte rreth 215 mijë euro në vit në rang kombëtar, ndërkohë që koncesionarit i paguhen deri në 16 milionë euro dhe i bie që koncesionari të paguhet në një vit aq sa shërbimi kushton në 10 vite.
“Shekulli” iu drejtua për komente edhe ish-ministrit Beqja, por ai u përgjigj: ”Po këto kanë 2 vjet a më shumë që kanë nisur hetimet”, duke iu referuar dosjes së “sterilizimit”. I pyetur sërish për këtë koncesion, Beqja u përgjigj prerë: “Nuk bëj komente për çështje në hetim”./Gazeta Shekulli/

