Afganët e Shëngjinit në protestë: Na harruan! Nuk dimë çfarë do të ndodhë me ne
Një vit pas strehimit të shtetasve afganë në vendin tonë për ta duket se kanë nisur problemet e para pasi prej janarit nuk është bërë pagesa e hotelit ku janë vendosur. Për këtë arësye ata dolën në protestë në Shëngjin. Rreth 348 afganë thonë se janë harruar nga autoritetet dhe nuk kanë asnjë sqarim për të ardhmen e tyre edhe pse kanë kërkuar të ikin nga Shqipëria.
SHENGJIN- Të ulur këmbëkryq para hotelit në Shëngjin të Lezhës, refugjatët afganë protestuan të mërkurën (1 qershor 2022)
Shkak për revoltën e tyre është bërë pagesa e hotelit, pasi një nga organizatat që e kryente këtë shërbim është tërhequr nga financimi që prej muajit janar të 2022.
Në këto kushte ato thonë se nuk e dinë cila është e ardhmja e tyre.
“Ne jemi këtu prej shumë muajsh, ndërsa nuk kemi asnjë të dhënë se çfarë do të ndodhe me ne për të ikur në SHBA, ose në Kanada. Një organizatë nuk ka paguar prej disa muajsh. Ne jemi me familjet këtu ne kemi fëmijë, dhe na duhen edhe medikamente të ndryshme, nuk e dimë çfarë do të bëhet me ne" thotë një grua afgane.
Në pankartat që mbanin në duar ata thonë se janë të harruar, ndërsa presin largimin nga vendi ynë.
Administratori i resortit ku jane te vendosur afganet Bledar Shima thote se deri tani nuk eshte gjetur asnje zgjidhje edhe pse eshte kerkuar nderhyrja e qeverise shqiptare per zbatueshmerin e kontrates.
"Pagesat nuk janë kryer që nga janari. Po diskutohet pjesa e pagesës. Eshtë futur dhe qeveria në negociata"
Refugjatët afganë u vendosën në vendin tonë pas marrjes së pushtetit nga ana e Talibanëve në Afganistan. Disa prej tyre kanë ikur tanimë në SHBA dhe vende të tjera, por ende nuk dihet fati i personave të mbetur në Shqipëri. Pak ditë më parë në Kosovë dhjetra refugjatë iu refuzua viza pasi nuk kishin kaluar kontrollin e sigurisë, ndërkohë SHBA tha se janë të lirë të jetojnë në një shtet europian.
