Ora investigim denoncoi kushtet skandaloze tek “Trauma”, drejtoresha nuk jep informacion ku ‘zhduken’ fondet

‘Ora investigim’ ka publikuar kushtet skandaloze në Spitalin e Traumës. Në dhomat e të sëmurëve nuk ka ujë, rubinetat e shteruara dhe bidonat e ujit të vendosura në çdo lavavaman janë dëshmi e qartë e kushteve të mjerueshme që ka  spitali. 

Ndërsa për materiale  sanitare si letra higjienike dhe likuid për larje duarsh as që behet fjalë te gjesh.

Për mungesën e gjerave më elementare si uji dhe  materialet higjienike janë në dijeni pacientet e shtruar, të afërmit e tyre  dhe stafi, por i vetmi person që nuk di se çfarë ndodh brenda ambienteve të Spitalit të Traumës është drejtoresha Edlira Bode.

RTV Ora ka depozituar një kërkesë për informacion ku kemi parashtruar pyetjen nëse spitali furnizohet pa ndërprerje me ujë? 

Në kthimin e përgjigjes Znj. Bode na informon se spitali furnizohet 24 orë me ujë. Pra teorikisht sipas drejtoreshës spitali ka ujë pa ndërprerje, por praktikisht situata është kjo, rubinetat janë tharë 

Si është e mundur që vendi i cili pretendohet se  duhet të ketë higjienën në nivelin më të lartë të mos ofrojë gjerat me të domosdoshme? 

Problemi në këtë rast nuk është mungesa e fondeve. 

Sa është vlera që paguan Spitali i Traumës për letrat higjienike dhe likuid larje duarsh për 1 vit? Kjo ishte pyetja që i drejtuam Znj. Edlira Bode.  

Drejtuesja e spitalit fsheh shifrat dhe nuk na jep asnjë lloj  informacioni. Për të tejkaluar pyetjen, znj.Bode shprehet se spitali është furnizuar me likuid duke vazhduar te mbulojë nevojat.

Përgjigjet diplomatike nuk rregullojnë aspak situatën e mjerueshme ku ndodhet Spitali i Traumës, mjafton që një ditë drejtoresha të dalë nga zyra dhe të shkoje në dhomat e pacienteve te shtruar për ta prekur nga afër realitetin. 

‘Ora investigim’ i ka ridërguar znj. Bode kërkesë të përsëritur për pyetjen e mbetur pa përgjigje.

Shpresojmë që kësaj here të kemi një përgjigje në kuadër të transparencës me median dhe  me ato paciente që nuk i ofrohen kushtet më minimale.