Erdhi nga Shkodra me pistoletë me vete, prangoset te “Komuna e Parisit” 20-vjeçari
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar "Komuna", ku ka prangosur një 20-vjeçar që lëvizte me armë me vete.
Mësohet se 20-vjeçari vinte nga Shkodra, ndërsa i janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme "Shqiponja", në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në Komunën e Parisit, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Komuna”. Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: S. T., 20 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër, për veprën penale "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".” – bën me dije policia.
Në Komunën e Parisit, policia e ka konstatuar shtetasin S. T., i cili sapo ka vënë re shërbimet e Policisë, ka tentuar të futet në një taksi.
Pasi është ndaluar, gjatë kontrollit të një çante lëkure që 20-vjeçari kishte me vete, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.




