Mesazhet me eksploziv: 14 herë “BOOM” në 5 muaj
Dy sulme me eksploziv mbyllën regjistrin e ngjarjeve kriminale të Policisë së Shtetit për muajin Maj, ndërsa për 5 mujorin ky skenar rezulton se është përsëritur të paktën 14 herë. Paralelisht edhe tregu i zi i armëve duket në lulëzim.
Tirane - Një makinë luksoze u hodh në erë në Tiranë të martën, 31 maj 2022, dhe një tjetër në Vlorë 24 orë më herët.
Më 19 Maj, një restorant në Radhimë të Vlorës u shkatërrua me eksploziv, ndërsa 24 orë më pas të njejtin fat pati lokal në pronësi të një polici në Shkodër!.
Në 5 muaj e parë të vitit 2022, sipas të dhënave skenari Iisulmit me eksploziv ndaj makinave apo objekteve është përsëritur të paktën 14 herë.
Në të shumtën e rasteve, autorët janë filmuar nga kamerat e sigurisë, por shumica mbeten të lirë.
Eksplozivët po përdoren për të dërguar mesazhe të qarta kriminale, pasi bëjnë zhurmë dhe krijojnë dëme materiale.
Por sipas ekspertëve arsyeja kryesore është fakti që shpërthimi kryesiht zhduk gjurmët e tritolvënësit.
Ndaj gjithmonë e më shumë në vend duket se po lulëzon një treg i zi i ekspozivëve.
Kjo veprimtari kryesisht është evidentur në qarkun e Durrësit dhe atë të Lezhës, ku gjatë këtij viti janë goditur disa tentativa trafiku.
Një 19 vjeçar u arrestua këtë të mërkurë, 1 qershor 2022, pasi do të shiste 4 kallëpë tritol me peshë të përgjithshme rreth 1 kilogram tritol.
Policia thotë se kishte marrë informacion dhe I zuri pritë Roland Kurteshit, në aksin rrugor Sukth – Kullë, duke transportuar eksplozivin.
Hetimi ndërkohë vijon për të identifikuar blerësit dhe qëllimin që do të përdorej tritoli.
Operacionet e Policisë së Shtetit, kanë provuar se minat me telekomandë që përdoren për ngjarje kriminale po shiten deri në 3000 euro për copë.

