Tjetërsuan lulishten e Qytetit Sarandë, kapet drejtori i Urbanistikës në Bashki, një noter dhe juristja e hipotekës
Prokuroria e Sarandës, ka urdhëruar arrestimin e Pandi Zhonga, Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë Sarandë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.
Mes personave të arrestuar është dhe një noter publik Aleko Anagnosti si dhe juristja e Zyrës së Hipotekës në Sarandë, Rovena Alikaj.
Ndalimi i tre zyrtarëve publikë është kryer nga prokuroria e Sarandës, e cila gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se personat e arrestuar tashmë dyshohet se kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqe prej 10 mijë metra katror tokë, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë ndërtuar.
Sipërfaqja tokësore e tjetërsuar ka qënë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (Lulishte), për qytetin e Sarandës.
Por përmes falsifikimit të dokumentave, miratimit të lejeve të ndërtimit nga bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrës e ASHK-së Sarandë, kjo tokë prej 10 mijë metra katror, është tjetërsuar tashmë tek persona të tretë.
Lidhur me këtë çështje, në kërkim mësohet se janë dhe dy persona të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
