Dakordësia: Drejt festivalit UNUM, me Taxi të licencuara. Shëngjini monitorohet me dron, patrulla e makina inteligjente
Policia e Lezhës ka përgatitur një plan të detajuar masash që konsistojnë në garantimin e rendit e sigurisë përgjatë aktivitetit UNUM Festival 2022 që do të mbahet në Shëngjin nga data 1 deri me 6 qershor.
Përmes një njoftimi për median njoftohet se është rënë dakord që aktiviteti do të mbulohet nga të gjithë shërbimet, edhe ato taxi Lezhë të licencuara pa pengesa gjatë gjithë eventit.
Për këtë Drejtori Vendor i Policisë Lezhë Drejtues i Parë Vehbi Bushati, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Shoqatës së Shërbimit Transport ‘’Taxi’’ në Lezhë z.Arjon Gjini
Gjithashtu, Drejtor Bushati, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë Lezhë z.Pjerin Ndreu, po për këtë qëllim, ku ka gjetur mbështetjen e plotë per masat e marra si dhe dakortësinë që shërbimi transport ‘’Taxi’’ Lezhë i licensuar, gjatë këtij aktiviteti, të ushtrojë pa asnjë pengesë shërbimin taxi.
“Policia e Lezhës, u bën thirrje dhe njofton të gjithë qytetarët pjesëmarrës në aktivitet, se lëvizja nga qyteti Shëngjin në vendin e zhvillimit të aktivitetit, do të bëhet vetëm me automjete të shërbimit të transportit ‘’Taxi’’ të licensuar si dhe shërbimet e tjera të kontraktuara nga organizatorët për këtë event, me logot përkatëse“ thuhet në njoftimin e policisë.
Po kështu njoftohet se I janë referuar dokumentet në prokurori për taksistin 46 vjeçar i cili dje gjatë prononcimit, ka bërë thirrje për dhunë dhe nxitje të urrejtjes ndaj punonjësve të shërbimit transport ‘’Taxi’’, të shoqërive që kanë lidhur kontratë me organizatorët për eventin UNUM Festival 2022
Monitorimi me dron
Njoftohet se janë marrë masa për parandalimin e aksidenteve rrugore, parandalimin e shpërndarjes dhe përdorimin e lëndëve narkotike, parandalimin e konflikteve si pasojë e përdorimit të pijeve alkolike si dhe menaxhimin dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale.
Në kuadër të garantimit të rendit e sigurisë, janë marrë masa për të monitoruar me dronë, makinat inteligjente të pajisura me radarë automatikë, me kamera nga policia kriminale, patrullat e përgjithshme dhe shqiponjat, si dhe në bashkëpunim me Policinë Kufitare, do ketë edhe patrullim në det me mjete lundruese të Policisë Kufitare, informon policia e shtetit
