PS merr edhe presidentin/ Nesër në konferencën e kryetarëve, vendoset data për raundin e katërt
Demokratët dështuan t’i imponohen socialistëve për të zgjedhur një president të dakordësuar mes të dy palëve, pasi edhe raundi i tretë nuk prodhoi asnjë produkt politik. Maxhoranca në të tre raundet që kërkonin 84 vota dha maksimumin e kohës që lejon Kushtetuta dhe shprehu gatishmërinë për tryeza negociuese, por në asnjë moment nuk lëshoi pushtet.
Taulant Balla: Ne nuk do ta lëmë vendin pa president. Askush nuk mund të marri peng procesin.
Enkelejd Alibeaj: Ndodhi ajo që ai di të bëjë gjithmonë të tërhiqet, të hajë fjalën.
Emri i ri i preisdentit të ri do të jetë një e drejtë ekskluzive e Edi Ramës dhe partisë së tij, pasi Kushtetuta i jep të drejtën kësaj force politike që në raundin e katërt, kreu i shtetit të zgjidhe edhe me 71 vota. Listën me emra dhe votat e nevojshme PS i ka gati.
Taulant Balla: Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar do të propozojnë një kandidat.
Duke marrë shkas edhe nga votimi i fshehtë që zhvillohet për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, socialistët tentojnë të çojnë “ujë të turbullt” drejt opozitës, duke hedhur dyshime për rredhje votash.
Taulant Balla: Nuk është e thënë që presidenti i republikës edhe në raundin e katërt të zgjidhet me më shumë se 84 vota.
Enkelejd Alibeaj: Besoj që nuk ka snjë lloj mundësie që të mendohet kjo që mund të ndodhë
Ditën e martë në orën 14:00 në konferencën e kryetarëve do të caktohet edhe data e raundit të katër, por burime për RTV ORA thonë që seanca e radhës do të varet nga axhenda e kryeministrit Rama i cili ndodhet në SHBA. Pas kthimit nga Amerika të premten pasdite kryesocialisti do të mbledhë kryesinë e selisë rozë për të vendosur edhe emrin e vetëm të cilin do të propozojnë për kreun e shtetit, me firmat e të paktën 20 deputetëve për ta depozituar në Kuvend. E shtuna e 4 qershorit mund të jetë seanca në të cilën do të zgjidhet edhe Presidentit që do të zëvendësojë Ilir Metën pas 24 korrikut.
