Shqipëria 1 muaj në krye të OKB-së, Rama e Xhaçka në SHBA
Kryeministri Edi Rama dhe ministrja për Punët e Jashtme Olta Xhaçka nisen sot drejt SHBA-së. Kjo pasi nga 1 qershori Shqipëria merr presidencën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të cilën do ta mbaj për 30 ditë.
Lidhur me kete ngjarje, paraditen e 2 qershorit, kryeministri Rama do të drejtojë debatin e hapur të nivelit të lartë të Këshillit të Sigurimit mbi llogaridhënien ndërkombëtare, si një ndër përparësitë e vendit tonë në Këshillin e Sigurimit, të theksuar edhe më shumë për shkak të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.
Debati i kryesuar nga kryeministri Rama shënon fillimin e zbatimit të planit të punës të Presidencës së Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit.
Takimet e kryesuara nga kryeministri Rama do të pasohen nga disa veprimtari të tjera shënjuese, përgjatë muajit qershor përfshirë në nivel Ministror.
Gjatë qëndrimit në Nju York KM dhe MEPJ do të priten në takime nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB, António Guterres si dhe nga ambasadorja e SHBA pranë OKB-së, Linda Thomas-Greenfield, takim ky në kuadër të bashkëpenësisë që Shqipëria dhe SHBA kanë lidhur me Ukrainën. Gjatë muajit maj presidencën e Këshillit të Sigurimit e kishte SHBA.
Nga 1 janari 2022 Shqipëria u ul si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Më 11 qershor 2021 Shqipëria u zgjodh anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023 duke shënuar një ditë historike.
Shqipëria ishte vendi i vetëm nga ata që ishin në garë që nuk kishte qenë asnjëherë anëtare e Këshillit të Sigurimit. Shqipëria bën pjesë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara që nga dhjetori i vitit 1955, me përfaqësues në Asamblenë e Përgjithshme. Zgjedhja në Këshillin e Sigurimit, për herë të parë pas 66 vitesh anëtarësim në OKB, përfaqëson sfidë madhore, por dhe një mundësi të shkëlqyer për Shqipërinë.
Shqipëria u paraqit si kandidaturë konsensuale e Grupit të Vendeve të Evropës Lindore. Veprimtaria e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara ka prioritet paqen dhe sigurinë ndërkombëtare
