Nuk paraqitet ekspertiza, GJKKO shtyn seancën ndaj Fatos Lulos

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit shtyu për më 19 korrik gjyqin për ish anëtarin e Gjykatës Kushtetuese Fatos Lulo, i akuzuar për mosdeklarim dhe fshehje të pasurisë.

Shkak është bërë mosparaqitja nga SPAK e ekspertizës së kërkuar nga Gjykata mbi bilancin e të ardhurave dhe pasurisë së ish-gjyqtarit. Pak javë më parë SPAK kaloi për gjykim, ish-anëtarin tjetër të Kushtetueses Bashkim Dedja me të njëjtat akuza.

Dosja në fjalë është kthyer mbrapsht 3 herë. Për herë të parë është bërë më 16 shtator të vitit të kaluar, ku Gjykata e Posaçme i ktheu  SPAK dosjen e Lulos dhe kërkonte thellim të hetimeve pasi konstatoi të meta të mëdha.

Pas kësaj me të njëjtin argument dosja u kthye edhe dy herë të tjera, ndërsa këtë të hënë u vendos që ti jepet Prokurorisë së Posaçme një muaj e gjysëm kohë për të përgatitur akt-ekspertizën, gjë e cila ishte planifikuar të paraqitej sot. 

Disa muaj më parë Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e prokurorëve të SPAK dhe vendosi sekuestro mbi pasurinë në zotërim të Fatos Lulos, me sipërfaqe 172 m2, e llojit njësi/dyqan, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë. Krahas ndjekjes penale ish-gjyqtari i Kushtetueses nuk arriti të kalonte as vettingun.