Korçë/ Breshëri shkakton dëme tek të mbjellat. Fermerët apel për ndihmë nga shteti
30 minuta breshër të dielën rezultuan fatale për dhjetëra fermerë të fshatrave të Juglindjes.
Në Pendavinj të Maliqit, breshëri dëmtoi qindra sipërfaqe të mbjella. Pasojat janë të dukshme, ndërsa më shumë u dëmtuan perimet dhe fasulet.
"Breshëri bëri dëmtime shumë të mëdha sidomos tek perimet, fasulet dhe gruri. Dëme më të mëdha patëm tek perimet," tha një fermer.
Vetë fermerët thonë se dëmi është i madh, ndërsa bima në shumë sipërfaqe është këputur e gjitha.
"I ka prishur të gjitha perimet. I ka këputur të gjitha, sidomos fasulet," tha një fermer tjetër.
Pritshmëritë për prodhim janë të pakëta.
"Kërkojmë të ketë një ndihmë nga qeveria, një dëmshpërblim. Dëmi është bërë dhe s'kemi çfarë prodhimi të marrim. Nuk kemi ku të shkojmë se prap këto perime do mbjellim," tha fermeri.
Pas verifikimit nga autoritetet, informacionin i detajuar do i dërgohet drejtorisë rajonale të bujqësisë Korçë, me qëllim dëmshpërblimin e fermerëve nga dëmet e shkaktuara.
Ndër më të prekurat nga dëmet janë fshatrat Pendavinj, Rov dhe Rrembec e një pjese të tokave të fshatit Pojan dhe Kreshpanj.
