Si të shkojmë në Gjermani, shqiptari krijon shoqatë studentore për të ndihmuar të rinjtë që duan të studiojnë atje
Interesi i lartë i të rinjve shqiptarë për të studiuar dhe punuar në Gjermani nxiti Oltion Shehaj të krijonte një shoqatë studentore.
Përmes saj synon të ndihmojë bashkëatdhetarët të integrohen më lehtë në universitete apo tregun e punës atje.
"Ti ndihmoj me procesin e gjetjes së një banese atje, procese juridike të ndryshme, proceset e siguracionit shëndetësor, si të regjistrohen në shkolla."
Fillimet në Gjermani kanë qenë të vështira por tani thotë se mundësitë janë më të mëdha.
"Gjermania ishte një vend jashtëzakonisht i largët edhe pse kilometrat janë po njëjtat me sot dhe unë dua që kjo mos të përsëritet me shqiptarët e tjerë".
Nismës i është bashkuar edhe Xhordan Priman, është amerikano-gjerman dhe për Shqipërinë ka dëgjuar nga i ati i cili ka marrë pjesë në luftën e Kosovës krah NATO-s.
"Në 1998 babai im shkoi në Kosovë si pjesë e NATO-s dhe më ka thënë fjalë të shkëlqyera për shqiptarët që kujdesen për vendin e tyre. Janë energjikë dhe ndaj u frymëzova të vij këtu dhe të prezantoj këtë mundësi për të rinjtë shqiptarë".
Asistencën terësisht falas Oltioni dhe Xhordan përveç Shqipërisë e ofrojnë dhe në Kosovë dhe Malin e Zi.
Për shkak të standardeve të larta akademike, të punës dhe jetesës, Gjermania vitet e fundit është kthyer në tokën e premtuar për mijëra të rinj shqiptarë.

