Kafshët në mbrojtje, shtyhet për 5 vite ndalimi i gjuetisë në Shqipëri, opozita akuza: Ka lulëzuar paligjshmëria

Kuvendi ka nisur diskutimet për të shtyrë edhe me 5 vite ndalimin e gjuetisë. Në Komisionin e Ligjeve u theksua se nismat e mëparshme kanë ndikuar në shtimin e faunës së egër. Nga ana tjetër opozita ka akuzuar për gjallërimin e gjuetisë së paligjshme.

Ministria e Mjedisit ka kërkuar në Kuvend zgjatjen edhe me 5 vite të moratoriumit të gjuetisë në Shqipëri. Në Komisionin parlamentar të Ligjeve, zëvendësministrja Almira Xhembulla foli për rigjallërimin e faunës së egër.

"Pas moratoriumit të parë dhe në vijim numri i shpëndëve ka pësuar një rritje, kryesisht shpendët që kanë qenë objekt vrojtimi. Në 2016 janë vrojtuar dhe evidentuar 98 mijë shpendë të egër. Në vitet në vazhdim deri në 2022 kemi një rritje 80% të shpendëve, rreth 140 mijë shpendë të vrojtuar dhe monitoruar."

Por për opozitën, qeveria nuk ka bërë detyrën, pasi gjuetia e paligjshme nuk ka ndalur.

"Thoni që janë shtuar në mënyrë drastike pjesa e gjuetisë së paligjshme, thoni që shteti nuk i ka kapacitetet. Kush do ti ruajë këta? Vetëm bashkitë? Kudo dëgjojmë që gjuetia nuk është ndaluar për paligjshmërinë, është ndaluar vetëm për ato shoqatat. Për ata që kanë qenë më të kujdesshëm dhe e kanë trajtuar si sport."

"Është mbyllur gjuetia e ligjshme dhe ka lulëzuar gjuetia e paligjshme."

Projektligji u miratua me 10 vota pro dhe 7 kundër. Për herë të parë monatoriumi i gjuetisë u miratua në vitin 2014 dhe më pas afati u shty nga viti 2016 deri në 2021.