Ambasadori i Turqisë në Tiranë, Yoruk: Shqipëria është partnere strategjike e Turqisë

Turqia synon të forcojë marrëdhëniet ekonomike me Shqipërinë duke rritur bashkëpunimin mes kompanive të sektorit të energjisë dhe teknologjisë. Në një takim të zhvilluar së fundmi me përfaqësues të biznesit, ambasadori turk në vendin tonë bëri me dije se një nga synimet e qeverisë turke është rritja e investimeve në Shqipëri.

"Shqipëria është Partnere Strategjike e Turqisë”, kështu deklaroi ambasadori i Turqisë,Murat Ahmet Yoruk, në vendin tonë në një takim të zhvilluar mes koorporatave turke të energjisë dhe elektro-teknologjisë me sipërmarrje shqiptare.

Sipas Murat Ahmet Yoruk, ky takim do të shërbejë për hapjen e dritareve të reja në sektorin e pajisjeve elektrike dhe elektronike mes Shqipërisë dhe Turqisë. Përfaqësuesi diplomatik bëri gjithashtu me dije se një nga synimet e qeverisë turke është të rrisë vëllimet tregtare me Shqipërinë.

Murat Ahmet Yoruk: "Synimi ynë tregtar me Shqipërinë është një nga synimet më parësore tonat, i cili do të arrijnë nivelet e 1 miliard dollarë dhe njëkohësisht këtë vlerë do ta rrisim në përputhje me raportet miqësore, vëllazërore që i shkon përshtat Shqipërisë. Kur të shënojmë edhe 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dypalëshe, do të kalojmë objektivin 1 miliard dollarësh dhe do të përpiqemi ta ngremë këtë vëllim në 5 miliardë dollarë."

Ambasadori Yoruk paraqiti dhe shifrat e investimeve turke në Shqipëri, që sipas tij ofrojnë punësimin e rreth 15 mijë shqiptarëve në 600 kompani të ndryshme.

Ndërkohë, kryetari i delegacionit të kompanive nga Turqia evidentoi se përmes këtij takimi synohet të kërkohet për mundësi të tjera investimi.