E rëndë! I riu vret veten brenda komisariatit të policisë në Kavajë
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në Kavajë, ku një 31-vjeçar ka vrarë veten brenda komisariatit të policisë.
Burime bëjnë me dije se Ilvi Meta, ishte ndaluar ditën e mërkurë nga policia pasi akuzohej për vjedhje.
Në momentin e konstatimit, grupi i dhomës së paraburgimit ka tentuar të japë ndihmën e parë, por ka qenë e pamundur, ndërsa dyshohet se i riu ka vrarë veten me çarçaf.
Nga ana tjetër mësohet se i riu ka qenë me precedent të mëparshëm penal pasi më herët ishte arrestuar për disa vjedhje.
Deri më tani nuk dihen detaje të tjera në lidhje me ngjarjen.
Në njoftimin e saj, policia bëri me dije se: "Më datë 04.05.2022, në Komisariatin e Policisë Kavajë, është gjetur nga shërbimet e Policisë i vetëvarur në dhomat e izolimit dhe si pasojë ka ndërruar jetë, shtetasi i ndaluar I. M., 31 vjeç, i cili është ndaluar ditën e mërkurë rreth orës 15:50 pasi Gjykata kishte vendosur ndaj tij masën e sigurisë "Arrest në burg", për vjedhje.Është ngritur një grup i posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kavajë i cili po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes".
Lidhur me ngjarjen ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar se vdekja e të riut ka ardhur nga dhuna në komisariat ndaj kërkon hetim nga Avokati i Popullit.
Kjo është ngjarja e dytë branda pak javësh që brenda ambienteve të komisariateve shqiptare vdesin persona të arrestuar.
Kujtojmë se ambientet e Komisariatit te Policisë Nr 5 në Kamëz, u përfshinë nga flakët mbrëmjen e 26 marsit, dhe për pasojë humbi jetën 28-vjeçari Arben Mici, i cili ndodhej në qelitë e paraburgimit, si dhe morën plagë të rënda një tjetër i arrestuar dhe efektivi Hajredin Boja.
Për ngjarjen në fjalë Gjykata e Tiranës vendosi një muaj më vonë që të lërë në burg dy efektivët e policisë, të cilët kanë qenë në krye të detyrës mbrëmjen e 26 marsit ku mori flakë Komisariati i Kamzës.



