Pengmarja e Karajt në 2013, Gjykata e Lartë kthen për rigjykim në Apel, Suel Çelën e dy miqtë e tij në Elbasan
Gjykata e Lartë, ka kthyer për rigjykim çështjen penale me nr.627/1 që flet për Suel Çelën alias Marjus Lulaj dhe mikun e tij, Endri Çopja, të akuzuar nga prokuroria e Elbasanit për veprën penale të “Mbajtjes pa lejë të armëve” dhe “Heqje të paligjshme të lirisë” në dëm të shtetasit, Bledar Karaj.
Kolegji gjykues i përbërë nga kryesuesi Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni, gjatë analizimit në dhomë këshillimi të ankimit të bërë nga prokuroria, ka çmuar se çështja ndaj dy personave, duhet të rigjykohet në Gjykatën e Apelit në Durrës.
Kolegji çmon se në çështjen objekt gjykimi, Gjyqtari Paraprak i Apelit Durrës, për shkak të zbatimit të gabuar të dispozitave ligjore, ka marrë padrejtësisht rolin e gjyqtarit të themelit, duke zgjidhur në themel çështjen.
Ndërkohë që kompetenca e tij, ishte kontrolli i cilësisë së hetimeve, nëse ato kanë qenë të plota ose jo dhe nëse kishte vend që organi procedues të kryente veprime të tjera hetimore.
“…gjyqtari i seancës paraprake nuk mund ti hyjë vlerësimit të provave, të vlerës së tyre në raport me faktin apo fajësinë apo vlerës së tyre në raport me prova të tjera, pasi kjo mund të bëhet vetëm në seancë gjyqsore të gjykimit të themelit të çështjes në kushtet e debatit gjyqësor e kontradiktave…”-thuhet në vendim.
Çështja në fjalë daton qysh prej prillit 2013, kur në Elbasan është marë peng Bledar Karaj. Fillimisht ky i fundit i ka treguar drejtuesit të prokurorisë Elbasan, Elvin Gogaj, se personi që e kishte marë peng dhe e kishte qëlluar me armë duke e plagosur lehtë në këmbë, ishte pikërisht Marius Lulaj.
Por mandej gjatë hetimeve, Bledari ka deklaruar se me Marjuesin e kishin mbyllur konfliktin, pasi babai i tij i kishte kërkuar falje për veprimet kriminale të kryera nga i biri.
Karaj, në një dëshmi të dytë dhënë para prokurorit, Bledar Mustafaraj, ka pohuar se nuk i njihte personat që e kishin marë peng dhe nisur nga kjo situatë, ndjekja penale për, Suel Çelën, është pushuar në 26 dhjetor 2013 nga prokuroria e Elbasanit.
Ndërsa çështja është pezulluar duke ju referuar policisë për zbulim autori. Por në 12 korrik 2018 njësia Task-Forcë, dhe prokuroria e Elbasanit, kanë rihapur dosjen me nr. 627/1, duke akuzuar sërisht këtë herë Suel Çelën dhe Endri Çopjan për akuzën e “Heqjes së paligjshme të lirisë” dhe “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Operacioni policor i koduar “Krasta” u finalizua në 14 qershor 2019, ku mes të arrestuarve ishte dhe i dëmtuari Bledar Karaj, që tashmë akuzohej nga prokuroria për “Moskallëzim Krimi” dhe Korrupsion aktiv ndaj punonjësve të AMA-s, pasi Karaj disponon një televizion kabllor.
Çështja ndaj tyre shkoi për gjykim në gjykatën e Elbasanit, por gjyqtarja paraprake Enkelejda Kapedani vendosi pushimin e ndjekjes penale ndaj tre të pandehurve.
Ky vendim është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit. Ndërsa në 8 mars 2022, Gjykata e Lartë ka kthyer për rigjykim në gjykatën e Apelit çështjen në fjalë, duke kërkuar rigjikimin e dosjes me trupë tjetër gjyqtarësh.

