Raporti i Reporterët Pa Kufij, Çipa: Jemi të kërcënuar nga propaganda politike, ja çfarë duhet të ndryshojnë mediat

Shqipëria renditet e fundit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket lirisë së shtypi duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuar me vitin e kaluar.

Në lidhje me këtë Kreu i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa, në një intervistë për Ora News, u shpreh se sipas raportit presioni mbi gazetarët ushtrohet në tre drejtime, influenca e krimit të organizuar, presioni që ushtrohet  nga segmente të institucioneve politike, realiteti problematik që lidhet me informalitetin në media, funksionimin kaotik të medias në përgjithësi.

Aleksandër Çipa: as më shumë e as më pak, kjo është një pasqyrë e realitetit problematik që zhvillohet media në Shqipëri. Raporti i mëshon faktit se ushtrohet presion mbi gazetarët nga tre drejtime:

1-Influenca e krimit të organizuar

2-Presioni që ushtrohet  nga segmente të institucioneve politike

3-Realiteti problematik që lidhet me informalitetin në media, funksionimin kaotik të medias në përgjithësi.

Ndër të tjera ai u shpreh se ka pasur raste që gazetarët janë kërcënuar gjatë kohës që kanë qenë në krye të detyrës.

Aleksandër Çipa: Kanë qenë episodet dhe ngjarjet e vitit të kaluar që lidheshin me kërcënimet e gazetarëve në krye të detyrës. Ka pasur raste të kërcënimit të reporterëve investigativë dhe redaksive të veçanta. Të gjitha  këto raste janë pasuar me një solidaritet të organizatave ndërkombëtare.

Po ashtu ai ka komentuar edhe qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, duke thënë se reagimet e tij ishin thjesht pyetje retorike.

Aleksandër Çipa: Ndaj qëndrim kritik të Ramës. Reagimet e tij ishin thjesht pyetje retorike.  Ka një keqinterpretim në diskutimin që i bëjnë këtij raporti. Shpesh ne ngatërrojmë konceptet midis lirisë së medias dhe lirisë së gazetarit, dhe lirisë së raportimit. Ne ankohemi për lirinë e raportimit dhe lirinë e gazetarit për të raportuar. Kjo bie ndesh me praktikat rutinë dhe burokratike të mosvënies në dispozicion të dokumenteve  specifike për të cilat janë të interesuar për raportim të thelluar.

I pyetur se çfarë duhet të ndryshojë media në Shqipëri, Çipa u shpreh: Media duhet të shumëfishojë këmbënguljen, reagimin  kurajën dhe në mënyrë të veçantë e nevojës që kanë palët politike për propagandë. Ne jemi të kërcënuar nga propaganda politike e palave dhe protagonistëve politikë.

Intervistoi Siklajda Shorja, përgatiti Anila Kolgjini.