Shoferët “nën efektin e drogës”, 7 drejtues mjetesh në burg
Shtatë persona janë arrestuar duke drejtuar mjetin nën efektin e drogës në më pak se dy javë pas vendosjes në funksion të pajisjes testuese nga policia rrugore. Specalistët e qarkullimit thanë për Ora News se kontrollet bëhen kryesisht gjatë natës. Ndërkohë numri më u madh i gjobave të vendosura kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë dhe xhamat e zinj, për çka është gjobitur së fundi edhe peshëngritësi Erkand Qerimaj.
Policia rrugore e cila së fundi ka vënë në përdorim edhe me pajisjen e testit të drogës vazhdon të ndalojë drejtues mjetesh nën efektin e lëndëve narkotike.
Një 27-vjeçar është arrestuar në flagrancë pas testit të kryer nga policia, e cila më së shumti po monitoron akset rrugore gjatë natës.
Specialisti i qarkullimit rrugor, Herman Erindi, thotë se deri tani 7 persona janë arrestuar pasi drejtonin mjetin nën efektin e drogës.
"Masa administrative është 6-19 pezullim i lejes së drejtimit, shkon deri në 2 vjet përveç masës administrative 100-200 mijë lekë të vjetra. Pastaj kalon në fazën e penalitetit sa i përket anës penale".
Penalizimet më të shumta policia rrugore thotë se i ka vendosur edhe për shoferët që përdorin alkool, tejkalojnë shpejtësinë apo lëvizin me mjete me xhama të zinj pa autorizim.
"Natën fokusohemi për shkeljet e radarit. Tejkalim i shpejtësisë, testet e drogës dhe alkoolit në ambjente si diskoteka, vende publike ku ka fluks të jashtëzakonshme."
Këto pamje tregojnë një aksion kontrollesh pranë stadiumit "Dinamo".
Mes personave të ndaluar ishte edhe peshëngritësi Erkand Qerimaj, i cili u penalizua me një gjobë prej 8 mijë lekësh të reja për shkak të mungesës së certifikatës për xhamat e errësuar.
E ndërsa ky i ri u arrestua pasi kishte falsifikuar dokumentet për xhamat e zinj.
Mesatarisht rrugorja penalizon çdo ditë rreth 600 qytetarë, ndërkohë që ky intensitet kontrollesh vlerësohet se ka ndikuar në uljen e numrit të aksidenteve.
