Shërbimet online, po martesat? Zyrtarja e AKSHI-t tregon rastet kur mund t'u drejtoheni sporteleve
Prej 1 majit, për qeverinë e Edi Ramës nisi epoka e shërbimeve dixhitale
Ndërkohë, drejtoresha e Inovacionit të AKSHI-t, Romina Kostani, në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj është shprehur se 5% e shërbimeve është e pamundur që të digjitalizohen, pasi janë shërbime që kërkojnë patjetër prezencën fizike.
Ajo tha se nuk mund të bëhen online martesat apo shërbimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor
Romina Kostani: Prej 1 majit, nuk ka nevojë që qytetari të paraqitet në sportel për të marrë përgjigjen sepse këtë mund ta ofrojë punonjësi administratës me vulë e me nënshkrim elektronik. Ka shërbime të tjera. Përveç 5% të shërbimeve që duhet të ofrohen në sportel, sepse është e pamundur që të digjitalizohen apo shërbimet që kërkojnë prezencën fizike të qytetarit, siç janë lidhjet e martesës. Është e pamundur që ky proces të bëhet online, sepse duhet patjetër që punonjësi i gjendjes civile të verifikojë fizikisht dy persona që do martohen dhe duhet të jenë edhe dëshmitarët prezentë. Ndërkohë i njëjti stil shërbimi janë edhe shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, dhe shërbimet për kartën e identitetit dhe pasaportës. Këto janë shërbime mund të aplikosh online por për ta përmbyllur ciklin e shërbimit duhet të jesh në sportelet e administratës.
Ndërkohë që shërbimet e tjera për qytetarët nuk ka nevojë më të shkojnë në sportele pasi mund ti marrin online.
Për pensionistët të cilët mund të kenë vështirësi në aplikimin e shërbimeve, Kostani u shpreh se këto të fundit mund të kërkojnë ndihmë tek nipërit e te mbesat.
Romina Kostani: Si në çdo proces digjitalizimi e transformimi dhe mund të kenë vështirësi në fillim, por siç e thamë ky nuk është një proces i ri për qytetarët shqiptarë, pasi aplikimet bëheshin në E-albania, vetëm marrja e dokumenteve duhej bërë në zyrat e administratës. Moshat e treta mund t’i drejtohen një nipi ose mbese për ndihmë, në mënyrë që të kenë mundësi të aksesojnë shërbimin dhe të marrin atë që kërkojnë.
E pyetur se a do rritet kostoja për këto shërbime, Kostani u shpreh: Pjesa e noterëve nuk është se eliminohet në këtë fazë. Në momentin e shitblerjes së shtëpive ti duhet të jesh te noteri sepse është vetë procesi i tillë. Kështu që qytetarët nuk është se po shpenzojnë më tepër në këtë aspekt. Nëse shikojmë përfitimet e qytetarëve në këtë proces do arrijmë konkluzionin se si tani apo në vitet që do të vijnë përfitimet janë të mëdha dhe kostot e qytetarëve janë ulur dhe do të ulen, dhe nuk është se do të rriten.
