Zelensky kërkoi ndalimin e turistëve rusë, Rama: Nuk i ndalojmë, nuk ka vendim nga BE-ja, për Ukrainën do japim para

Dalja nga mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste e ka përballur kryeministrin Edi Rama me pyetjen mbi kërkesën e Presidentit të Ukrainës për kufizimin e turistëve nga Rusia.

Refuzimin për propozimin e bërë prej Zelenskyt në sallën e parlamentit shqiptar, Rama e ka argumentuar me mungesën e një strategjie prej BE-së.

Rama: Vendimet tona janë të linjëzuara me BE-në dhe përsa kohë nuk ka një vendim të linjëzuar të BE-së, atëherë do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë si vendet e shkuara. Nëse do të ketë vendim nga BE-ja atëherë edhe ne do të linjëzohemi. Do të japim ndihmë monetare për Ukrainën.

Një tjetër kritikë për Shqipërinë është ngritur prej Reporterëve pa Kufij, por Kryeministri ka bindjen se liria e medias në Shqipëri është pa kufij ndaj raportet shprehet se nuk i beson.

Rama: Në asnjë vend të rajonit mediat nuk e kanë lirinë që e kanë në Republikën e Shqipërisë.

Madje Rama ngre dhe pikëpyetje mbi vetë raportin.

Rama: Jo mbi përceptime apo axhenda të caktuara.

Raportet më të besueshme sipas Ramës janë ato që vlerësojnë qeverinë, ndaj të njëjtën përgjigje jep dhe për reportazhin e televizionit gjerman ZDF ku ngrihet alarmi për trafikun e drogës në Shqipëri.

Rama: Kam parë shumë hga këto reportazhe por di të them që faktet janë ato që kanë rëndësi për mua, provat janë ato që kanë rëndësi për mua. Faktet dhe provat i keni në të gjitha raportet e progresit të BE-së.

Në mbledhjen e Kryesisë u diskutua dhe mbi zgjedhjen e Presidentit të Republikës ku Rama thekson se tashmë nis diskutimi i emrave.