Predikim në Tik-Tok, imami dhe kleri katolik përdorin rrjetet sociale për të shkuar te besimtarët
Rrjetet sociale po përdoren masivisht edhe nga përfaqësuesit e klerit për të përcjellë mesazhet e fesë por edhe për të afruar njerëzit me besimin. Pavarësisht të mirave predikimi online mbart edhe rrezikun e devijimit apo keqinterpretimit të mesazhit.
Përgjatë Prillit, muaj kur Ramazani përkoi me Pashkët mesazhet fetare krahas xhamive e kishave predikimet u përhapën edhe në rrjetet sociale.
Imam Hajredin Dizdari e përdor shpesh Tik-Tok dhe Instagramin për të shpërndarë udhëzimet dhe rëndësinë e besimit islam. Ai thotë se kohët ku jetojmë e bëjnë të pashmagshme përdorimin e teknologjisë. Rrjetet sociale i mundësojne të mbërrijë aty ku janë besimtarët.
Hajredin Dizdari: Duhet shfrytëzuar çdo terren. Ne jetojmë në një kohë ku njerëzit gjenden fatëkeqësisht apo fatëmirësisht në telefonat e tyre në shumicën e kohës kështu që ne kemi mundësi ti arrijmë ato shpeshherë në rrugë apo në terren.
Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta i ka mbetur besnik vetëm facebook-ut dhe tëitter-it në platformat e tjera nuk është aktiv. Aty pasqyron realitetin e zonës ku jeton, denoncon fenomenet që shqetësojnë banorët, shpërndan mësimet e Biblës dhe komunikon me besimtarët.
Dom Gjergj Meta: E kam parë gjithnjë si një gjë të mirë përdorimin e rrjeteve sociale dhe duke kërkuar gjithmonë ekuilibrin midis përdorimit të rrjeteve dhe jopërdorimit nga rrjetet. Më gjithë rreziqet që mbartin në vetvete sepse nëpërmjet rrjeteve sociale kalojnë edhe mesazhet radikale. Kalojnë dhe mesazhe antipaqe, antinjerëzore, antifetare.
Klerikët kanë të drejtë ta kërkojnë grigjën edhe online por rrjeti ka edhe rrezik për devijim dhe keqinterpretim të mesazhit.
Pedagogu Fitim Zekthi thotë se përfaqësuesit e klerit duhet të jenë të kujdesshëm në përcjelljen e informacionit fetar.
Zekthi: Kur përdoret në mënyrën e duhur është bekim, kur përdoret me rrezikshmëri është tmerr. Dikur nisi lufta e parë botërore nisi nga një atentat ku u qëllua me revolver Arkidukun e Austrohungarisë. Sot këtë revolver e ka gjithkush në dorë nga telefoni i tij. Çdo hoxhë, çdo prift, çdo predikues, por dhe çdokush tjetër që merr atributet e predikimit fetar, e ka në dorë të bëjë këtë atentat.
Për sociologun Ergys Mërtiri rrjetet sociale e cungojnë dhe e vrasin thelbin e mesazhit, kësisoj ai nuk merret i plotë.
Mërtiri: Jam i bindur se shumicë e këtyre klerikëve nuk janë të vetëdijshëm mbi mënyrën se si përthyhet mesazhi i tyre në këto rrjete. Sot mesazhi përgatitet në mënyrë të tillë që të jetë i shkurtër të jetë i kapshëm për masën. E vret mesazhin në funksion të komunikimit
Të vetëdijshëm për rrezikun që bartin platformat online janë dhe vetë klerikët.
Dom Gjergj Meta tregon se si kujdeset që shkrimet e tij të mos lënë shteg për keqinterpretim nga ata që e ndjekin.
Dom Gjergj Meta: Unë kujdesem shumë që atë që shkruaj dhe atë që them ta mendoj mirë dhe pastaj ta vendos në kontekstin e duhur në momentin e duhur. Pastaj unë kam përgjegjësinë e asaj që them jo të asaj që të tjerët interpretojnë
Por pavarësisht rreziqeve, përfaqësuesit e klerit thonë se përmes rrjeteve sociale ja kanë dalë t'i afrojnë qytetarët e veçanërisht të rinjtë me besimin dhe institucionet fetare.