Presidenti i ri/ Shtyhet edhe me 6 ditë fillimi i procedurës. Ftohet opozita të sjellë kandidatura. 15 maj afati i fundit

Konferenca e Kryetarëve u mbyll pa vendimmarrje pas gati 1 orë mbledhje pas dakordësisë që procesi për zgjedhjen e presidentit të nisë më 10 maj 2022.

Propozimi u bë nga Enkelejd Alibeaj, i cili ndodhet në këtë mbledhje me cilësinë e kreut të grupit parlamentar të PD-së dhe u dakordësua nga maxhoranca.

Por socialistët nuk pranuan propozimin e Fatmir Mediut i pranishëm në mbledhje në cilësinë e kreut të grupit "Aleanca për ndryshim" që kërkoi që në këtë proces të përfshihen të gjithë deputetët.

Më 15 maj ora 16:00 është afati i fundit i dorëzimit të kandiduturave ndërsa më 16 maj do të jetë raundi i parë i votimit të kandidatit për president.  


Ora 13: 44  Duma: Po shkon drejt zarfeve të mbyllura. Spiropali: Na vaftë mbarë

Deputetja demokrate, Grida Duma vuri theksin tek caktimi i kritereve që duhet të kishte kandidati për president.

“Procesi pa kritere rriskon të shkojë në një farsë. Duket sikur po shkon pas zarfave tuaj të mbyllur” tha Duma.

Deputetja socialiste Elisa Spiropali në replikë tha se PS nuk do një president socialist por të përfaqësojë unitetin e popullit.

"Presim në konsultimet e radhës të marrim nga ju emra e jo vetëm diskutime për procedura që mund ti keni shtyrë për arsyet tuaja. 16 maji është afati i fundit të raundit të parë dhe shpresoj që deri atëherë të vijmë me emra konsensual. 16 maji është e arsyeshme dhe është në anën e fundit që kemi në dispozicion. Na vaftë mbarë!" 

Deputetja demokrate Jorida Tabaku kërkon një president gjithëpërfshirës.


Ora 13:30 Balla thirrje opozitës: Dorëzoni propozimet deri më 15 maj

Kreu i grupit parlamentar Balla propozon që mbledhja të ndërpritet pa vendimarrje dhe konferenca e kryetarëve të rimblidhet më 10 maj.

Thotë se deri në datën 15 maj duhet të jenë depozituar kandidaturat e propozuara nga jo më pak se 20 deputetë. 


Ora 13:29 Balla lëshon pe për datën por "vija e kuqe" Berisha 

Partia Socialiste është gati të lëshojë pe për shtyrjen e afateve të fillimit të procedurës për zgjedhjen e presidentit por kushti i panegociueshëm është Sali Berisha.

Kërkesës së Alibeajt për shtyrjen e afatit të fillimit Balla tha se e pranon ta negociojë por kundërshton propozimin e Fatmir Mediut, i cili kërkon që në këtë proces të përfshihen të gjithë deputetët.

“Procesi do të jetë vetëm në kuvendin e Shqipërisë. Vetëm në nivelin e grupeve parlamentare. Ky është kushti i vetëm që PS dhe grupi i saj parlamentar ka në këtë proces. Se çfarë bëni ju, për të ardhur një treshe përfaqësuese bini dakord.

I gjithë procesi do të bëhet në kuvend. Rregullorja ka përcaktuar grupet parlamentare si të vetmet organizime të mirëfillta të parlamentit.

Nëse ju kërkoni më shumë kohë e vetmja zgjidhje është që konferenca e kryetarëve të ndërpresë mbledhjen dhe të rinisë me dt 10, që të konsiderohet nisja e procedures”

Socialistët propozojnë datën 16 maj raundi i parë i votimit të presidentit.  


Ora 13:02 Alibeaj propozon sërish shtyrje. Procesi i zgjedhjes së presidentit të nisë më 10 maj. 7 ditë kohë mes raundeve

Enkelejd Alibeaj, si kryetar i grupit parlamentar te PD-së, nuk është dakord me fillimin e procedurave të socialistëve për zgjedhjen e presidentit. Sipas socialistëve data 4 maj duhet të konsiderohet si moment kohor i fillimit të procesit për zgjedhjen e presidentit dhe data 10 të jetë raundi i parë.

Ndërkohë Alibeaj sugjeron si moment të fillimit të procesit të fillimit të zgjedhjes së presidentit të jetë në koordinim me opozitën. Dhe si datë fillimi të  jetë 10 maji.

"Persakohë afati i fundit para të cilit duhet të nisë procedura e presidentit është 24 maj, ne jemi në kohë që të përcaktojmë fillimin. Propozoj të jetë data 10-të"

Gjithashtu propozon që mes raundeve të ketë distancë kohore prej 7 ditësh.

"Kemi pasur përpara procedura me shpejtësi por kjo lë shijen e keqe tek publiku. Të vendosim që të gjitha raundet të ketë mes 7 ditësh afat kohor" tha Alibeaj.