Kërkohet presidenti/ Balla lëshon pe për datën por "vija e kuqe" Berisha

Partia Demokratike nuk është ende gati për të nisur zgjedhjen e Presidentit të Republikës, për këtë arsye Enkelejd Alibeaj kërkoi mirëkuptimin e mazhorancës për më shumë kohë.

Madje duke e cilësuar këtë vendim si test për vullnetin e Partisë Socialiste për një proces gjithëpërfshirës.

"Procesi i zgjedhjes së Presidentit propozoj të jetë data 10. Do të ishte testi i parë i sinqeritetit për të kuptuar nëse do të jetë një proces i bërë në mënyrë të njëanshme apo do të jetë një proces i cili në sytë e publikut dhe jo vetëm në sytë e publikut, të jetë i tillë që të ketë gjithëpërfshirjen."

Mazhoranca pranoi të lëshojë afatet por duke u nisur nga eksperienca me përballjen e Presidentit në Kushtetuese, Taulant Balla, kërkon të tregohet i vëmendshëm për afatet që të mos përsëritet historia me gjykata.

"Unë nuk e marr rrezikun kushtetues përsipër. Afatet do të jenë jo më vonë se shtatë ditë. Kjo është një çështje që e thotë Kushtetuta dhe këtu nuk ka hapësirë për të negociuar. Bie dakord me propozimin e zotit Alibeaj që fillimi i procesit të zhvillohet në datën 10."

Përfaqësuesi tjetër i opozitës, Fatmir Mediu, bëri dhe një tentativë tjetër për të futur në negociata çdo deputet të parlamentit, edhe ata të Komisionit të Rithemelimit. Por kjo kërkesë shkeli vijën e kuqe të socialistëve, Sali Berishën.

"Ky është një proces që në gjykimin tim duhet të përfshijë në diskutime dhe negociata gjithë trupën e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë."

"Dua të jem shumë i qartë, procesi do të jetë vetëm në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm në nivelin e grupeve parlamentare. Ky është, nëse e doni, dhe kushti i vetëm që Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar ka në këtë proces".

Konferenca e Kryetarëve do të vijojë me 10 maj ndërsa raundi i parë sipas socialistëve do të zhvillohet me 16. Deputetët kanë afat që deri me 15 maj të dërgojnë propozimet e tyre për President.

Një kandidat duhet të mbështetet nga firma e 20 deputetëve, ndërsa një deputet ka të drejtë të propozojë vetëm një emër.