Raporti i Reporterët Pa Kufij: RTV ORA, medie dominuese për transparencë në financime
Shqipëria renditet e fundit nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor sa i përket lirisë së shtypi duke shënuar një rënie prej 20 vendesh krahasuar me vitin e kaluar.
Kështu nënvizon një raport i Reporterëve pa kufij në të cilin evidentohet se gazetarët kërcënohen nga krimi i organizuar dhe thuhet se shteti nuk është në gjendje që t’i mbrojë.
Në disa raste, vetë Policia e Shtetit ka qenë autore e dhunës ndaj gazetarëve në terren të cilët mbulonin protesta apo tubime.
Gjatë zgjedhjeve parlamentare por edhe pandemisë, sipas Reporterëve Pa Kufij, presionet ndaj gazetarëve u rritën ndjeshëm duke instrumentalizuar rregullatorët e medies.
Gazetarët përballen me presione politike të cilat u përkeqësuan në vitin 2021 nga përpjekjet për të kontrolluar informacionin gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe pandemisë Covid-19. Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara të rregullimit të medies dhe menaxhimit të medies publike. Gazetarët kritikë të qeverisë përballen me sulme politike të rregullta me synimin për t’i diskredituar ata dhe ata kanë vështirësi në qasjen e informacionit publik, e cila është një rrezik për kufizime të mëtejshme nga një centralizim i fundit i komunikimit të qeverisë.
Në raport theksohet se e ashtuquajtura paketë anti-shpifje për mediet online është ende në agjendën politike edhe pse është kritikuar gjerësisht nga Këshilli i Evropës.
Reporterët Pa Kufij theksojnë se RTV ORA është një medie dominuese sa i përket transparencës në financime.
Ndërsa ka qindra medie online në vend, vetëm një pakicë e vogël ka një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent. Mediet dominuese përfshijnë RTV ORA, RTSH, TV KLAN dhe Top Channel.
E sipas raportit, sërish theksohet se pjesa më e madhe e tregut mediatik të vendit tonë është e përqendruar në duart e katër apo pesë kompanive.
Pak orë më vonë ka ardhur reagimi i kryeministrit Edi Rama që i cilëson si shpifje.


