Qori: Në Shqipëri vdesin rreth 30 vetë çdo vit në vendin e punës, pa llogaritur ato që fshihen me kodin e mafies
Aksidentet në punë vijojnë të mbeten shqetësim. Organizata Politike referuar shifrave zyrtare flet për 300 vdekje në vendet e punës në 9 vitet e fundit.
Arlind Qori i ftuar në Rtv Ora, me gazetaren Beti Njuma thotë se numri mund të jetë dhe më i madh duke marrë parasysh faktin se ka vdekje që nuk raportohen.
Qori: Në Shqipëri vdesin mesatarisht rreth 30 vetë çdo vit në vendin e punës. Këto janë shifra zyrtare, ne dyshojmë se ka dhe vdekje të paraportuara në punë. Na thonë në Bulqizë, vdekje që fshihen. Kanë vdekur minatorë dhe nuk është raportuar në polici dhe askund. Është mbyllur, një lloj kodi mafioz. Edhe kur raportohen, në një pjesë të rasteve faji u atribuohet viktimave, në ndonjë rast tjetër faji i atribuohet një përgjegjësi që është një shkallë më lart se viktima. Por asnjëherë nuk hetohen dhe jo më të dënohen ata që përfitojnë nga mungesa e sigurisë në punë. Zakonisht është pronari, një njeri tejet i pasur.
Sipas Qorit, shteti nuk bën detyrën që i takon, atë të arbitrit mes punëtorit dhe pronarit.
Qori: Shteti duhet të jetë një arbitër mes palëve. Por shteti është partner i një pale kundër një pale tjetër. Ndonëse punëtorët janë me miliona dhe ata që shfrytëzojnë punën e tyre janë me qindra dhe jo më shumë, prapëseprapë shteti është në anën e të pasurve, oligarkëve, pronarëve apo punëdhënësve të mëdhenj. Në këto kushtet punëtorët kanë frikë. Ata e kuptojnë nevojën e organizimit sindikalist por bëjnë një pyetje: Çfarë do më ndodhë nesër? Kodi i punës në Shqipëri e ndalon heqjen nga puna për shkak të aktivitetit sindikal. Por ligji është thjesht letër. Institucionet shtetërore nuk duan t'ia dinë për punëtorët, janë thjesht sfond. Keni parë Kryeministrin kur shkon në fasoneri dhe bisedon me pronarin.
