Ramës s'i shkojnë për shtat konkluzionet e Reporterëve pa kufij për median në Shqipëri. I quan gënjeshtra e fantazi!
Reporterët Pa Kufij në raportin për lirinë e medies për këtë vit kanë evidentuar se Shqipëria ka shënuar rënie me 20 vende krahasuar me 2021-shin. Ndërsa jemi të fundit në rajon, organizata thekson se gazetarët kërcënohen nga krimi i organizuar dhe vetë Policia e Shtetit ndonjëherë është autore e dhunës ndaj reporterëve.
Por konkluzionet e tilla nuk i shkojnë për shtat kryeministrit Edi Rama i cili i quan gënjeshtra.
Përmes një postimi në facebook Rama thotë se në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme.
E di që edhe ky opinion i imi do klasifikohet si sulm, presion, agresion kundër mediave, por e kam të pamundur të hesht kur shoh se si tallen disa me lirinë e fjalës dhe se si liria e shtypit bëhet liri e shtypjes, duke shkelur mbi faktet, njerëzit dhe vendin,në emër të saj!
Gazetarët viktima të dhunës policore në Shqipëri? Çfarë gënjeshtre!
Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme politike?
Çfarë fantazie! Vetërregullim etik në median shqiptare?
Çfarë talljeje!
Vetëm titulli mungon: Ankesa për mungesën e lirisë ngaqë s'dimë ç'të bëjmë me lirinë!
Në Shqipëri s'ka as media të intimiduar, as gazetarë të penguar në lirinë e tyre.
Madje në Shqipëri ka gjithnjë e më shumë viktima të shpifjeve, gënjeshtrave e lajmeve të rreme! Flitet për gjyqe me gazetarë, kur në fakt s'ka! Flitet për ligjin antishpifje kur në fakt s'ekziston!
Në raport theksohet se RTV ORA është dominonte për transparencë.
Ky reagim i Ramës vjen pas publikimit të Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit ku u raportua se Shqipëria ka pësuar rënien më të madhe për lirinë e medias që prej vitit 2013 . Në vitin 2021 ishte në vendin e 83 nga 180 ndërsa këtë vit është i 103. Ndërkohë që në vitin 2013 ishte në vendin e 82.
