Dorëheqjet pas plagjiaturave, precedentët në Shqipëri dhe jashtë

Pas pothuajse një dekade pa kërkim shkencor, universitetet në Shqipëri  kanë rihapur studimet për doktoraturë.

Niveli i ulët akademik, plagjiatura, si dhe dhënia pa kriter e këtyre titujve shkencorë, bëri që Ministrja e Arsimit asokohe, Lindita Nikolla, të bllokonte rritjen e pakontrolluar profesionale. 

Si pasojë e problemeve të evidentuara nga auditet për funksionimin e shkollave doktorale në vitet 2010-2013, u bllokua procesi njohjes së gradës shkencore “Doktor”, për rreth 170 kandidatët në proces gjatë vitit 2016.

 Një prej kritereve të  përfitimit të titullit “Doktor”, është realizimi i të paktën tri referimeve, 2 prej të cilave duhet të jenë të mbajtura në veprimtari shkencore ndërkombëtare.

Por edhe pse punimet shkencore duhet të jenë autentike, vit pas viti në shumicën prej tyre janë konstatuar plagjiatura të njëpasnjëshme.

Të shpeshta kanë qenë rastet kur personazhe të jetës publike, politikanë dhe akademikë janë ndeshur me  akuzat dhe denoncimet për plagjiaturë në doktoraturat e tyre.

Kështu në vitin 2018 zëvendësministri i Arsimit, Ervin Demo, asokohe dha dorëheqjen pas denoncimit të studiuesit Taulant Muka, i cili publikoi dy raste plagjiature të zyrtarit.

Kujtojmë  që jo vetëm në  vendin tonë por edhe në botë ka raste plagjiature.

Kështu një vit më parë Ministrja gjermane e Familjes Franziska Giffey dha dorëheqjen pasi doktoratura e saj rezultoi një plagjiaturë.

43-vjeçarja u vu në qendër të vëmendjes në shkurt të 2019-ës për një plagjiaturë doktorature që ajo dorëzoi në Universitetin “Berlini i Lirë”, në 2010-ën.

Rihapja e kësaj teme më shumë se dy vjet më vonë e detyroi ministren të dorëhiqej.

Në vitin 2011, edhe ministri gjerman i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg u largua  nga detyra, pas kritikave për plagjiaturë në punimin e tij të doktoraturës.

Po ashtu në vitin 2012, presidenti hungarez Pal Schmitt dha dorëheqjen pas përfshirjes në një skandal, ku u zbulua se kishte kopjuar tezën e tij të doktoraturës në vitin 1992.

Në shkurt të këtij viti kryeministri i Luksenburgut Xavier Bettel, pas akuzave për plagjiaturë, njoftoi se hiqte dorë nga diploma e marrë në vitin 1999. 

Përtej shembujve botërorë, situata në Shqipëri sipas të dhënave është në vështirësi.

Kujtojmë që procesi i doktoraturës kërkon kërkim shkencor të mirëfilltë, i cili në vendin tonë nuk është në nivelet e duhura, shkak infrasturktura jo e mirë universitare.

Megjithatë mbyllja e këtij cikli studimesh për një kohë të gjatë në vendin tonë ka sjellë edhe ulje të të ardhurave për universitetet.

Në një deklaratë për Ora News dy vjet më parë akademiku Artan Fuga theksonte se mungesa e doktorantëve në universitete dëmton rëndë gjeneracionet e kërkimit shkencor që zëvendësojnë njëri-tjetrin.

Sipas tij mbyllja e doktoratura ka sjellë gjithashtu edhe humbje të miliona eurove për universitetet.

Në shkurt të këtij viti në vendin tonë nismën për rihapjen e ka ndërmarrë Universiteti Bujqësor i Tiranës, i cili ka rihapur programet e doktoraturës, nisjen e studentëve jashtë vendit për punimin e një pjese të temës.

Duke sjellë kështu një qasje kombëtare dhe ndërkombëtare. Janë disa univeristete pritëse, të cila po i ofrtojnë mundësinë një pjese studentësh të këtij Universiteti të kryejnë studimet e doktoraturës.