Psikoanaliza e krimit makabër në Korçë, Tushi: Kulmi i krimit që nëna të vrasë fëmijën, duhet studim për sëmundjet e shëndetit mendor
Ngjarja horror e Korçës, ku një grua me probleme të shëndetit menro kishte lindur foshjen në kushtet e shtëpisë dhe e kishte mbyllur në valixhe duke i marrë jetën tronditi mbarë opinionin.
Sociologu, Gëzim Tushi, në një intervistë për Ora News me gazetarin Everest Dedaj thotë se intensiteti i krimit vijon të jetë i lartë dhe fakti që shumica e krimeve në shoqëri kryhen brenda familjes është një turp social.
Sociologu thekson se vrasja e një fëmijë përbën një krim të shëmtuar dhe kur kjo kryhet nga nëna është i llahtarshëm.
Tushi: Që nëna ti marrë jetën fëmijës është kulmi i krimit, përtej kësaj nuk ka më.
Duke mbetur te Korça, ai analizon dy faktorë.
Tushi: Rasti i Korçës ka dy faktorë. Së pari faktorët personalë. Sot gjatë gjithë ditës është diskutuar për personalitetin e nënës, shëndetin mendor. Faktorët personalë të saj janë shumë problematikë. Një person i kartelizuar me probleme të shëndetit mental, ka pasur dhe trajtim terapeutik por nuk ka qenë sistemik. Përveç kësaj janë dhe faktorët socialë që duhen vlerësuar shumë seriozisht. Një familje e varfër, jo fort mirë e strukturuar, deri në nivelet që burri i saj ka aluduar që mund të mos jetë fëmija i tij. Varfëria, prania e një fëmijë 15 vjeçar autik, qëndrimi në distancë me bashkëshortin, mungesa e kushteve dhe shëndeti mendor i saj janë disa faktorë që duhen vlerësuar nga pikëpamja sociale. Është krim i përmasave shumë shqetësuese për shoqërinë tonë.
E ndërsa shëndeti mendor del në plan të parë në këtë krim të rëndë, Tushi thotë se ngjarja e Korçës por edhe ngjarje të tjera kriminale që janë rezultat i shqetësimeve mendore kërkon që të bëhen studime të tilla për ta parë gravitetin e kësaj sëmundjeje që është shumë e përhapur.
Tushi: Në Shqipëri nga 2002 është ndërtuar një strategji kombëtare e shëndetit mendor, ka dhe një plan veprimi. Ne i kemi figurat profesionale për ta realizuar këtë studim në nivel kombëtar për të parë cila është gjendja e shëndetit mendor. Për të bërë dignostikimin e prerjeve sepse shëndeti mendor në bllok është term i madh por brenda tij përfshihen një sërë sëmundjesh që kanë të bëjnë me mendjen, ndërgjegjen, emocionet, të cilat mund të kuptojnë ku është përhapur më shumë në zonat metropolitane apo rurale në cilat grupmosha. Na duhet të kemi një studim më të saktë.
Tushi thotë se Shqipëria ka ecur sipas standardeve moderne të mbylljes së spitaleve psikiatrike.
Tushi: Njerëzit që kanë probleme të shëdetit mendor, se jo të gjithë kanë nevojë për trajtime spitalore dhe psikiatrike. Një pjesë prej tyre janë të karakterit psikologjik.Nisur nga kjo në Shqipëri është ndërtuar një rrjet i tërë i shëndetit mendor komunitar por harta e këtyre qendrave duhet zgjeruar. Nëse janë 6-7 qendra duhen shtuar akoma më tepër. Së dyti, efiçenca e tyre duhet të jetë akoma më e lartë.Këto qendra duhet të jenë të njohura ku njerëzit të kenë mundësi të ofrojnë pjesëtarët e tyre të familjes që kanë turbulenca mentale, shpirtërore, që të trajtohen në këto qendra.
Sipas sociologut në shoqërinë shqiptare ka nevojë të ketë një rivlerësim të fenomeneve psikologjike.
Tushi: Kemi akoma një trajtim pezhorativ lidhur me figura të tilla profesionale si psikologu, psikiatri, psikoterapisti, punonjësi social. Janë figura shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me marrëdhënien me lëkurën njerëzore. Janë të vetmit profesione që lidhen me trupin e njeriut, shpirtin e njeriut. Këto figura që akoma nuk kanë marrë statusin e tyre për shkak të nivelit që ka shoqëria apo edhe paragjykimeve që kemi për këto profesione, mendoj që ato duhen zgjeruar dhe mbështetur. Është e nevojshme që sistemi i shërbimeve psikologjike dhe sociale, struktura, harta e këtyre shërbimeve, efikasiteti i tyre duhet të zgjerohet. Për të trajtuar një popullsi prej 2.8 mln banorësh duhet të ketë një sasi të caktuar qendrash të prevencës (parandalimi) dhe qendrat e rehabilitimit (trajtimi mjekësor dhe psikomjekësor).
Tushi thotë se trajtimi psikiatrik dhe mendimi konservator se njerëzit që kanë probleme të shëdetit mendor duhet të shtrohen në spitale psikatrikë është i vjetër, i kapërcyer që nga fundi i shekullit të kaluar.
Tushi: Në spitalet psikiatrike mund të korrigjohen vetëm ata që janë të pakorrigjueshëm, vetëm ata që mund të kenë prirje kriminale ose që mund të bëjnë vetëvrasje. Të tjerët që kanë probleme të shëndetit mendor nga frikërat, pasiguritë…do shtohen këto sëmundje. Këto janë sëmundje të shekullit. Studiues të shquar kanë theksuar që në këtë shekull sëmundjet e shëndetit mendor do të agravohen, do të shtohen sepse jeta po bëhet më e vështirë, po bëhet përgjegjësi individuale. Frikërat, Covidi, pasiguritë, humbja e vendit të punës, varfëria, janë një faktor kompleks që shumë njerëz do ti bëjë të vetëizolohen, marxhinalizohen, të mos përballojnë dot integrimin social. Duhet të përgatitemi. Edhe qeveria duhet ti kushtojë një vëmendje më të madhe këtij problemi që ka të bëjë me gjendjen psiko-sociale të shoqërisë.
