Endri Shabani: Çdo gjë online rrezik për të dhënat personale, do lindin biznese shërbimi

Prej të dielës së 1 majit, të gjitha sportelet e Gjendjeve Civile në gjithë vendin janë mbyllur, ndërsa shërbimet e dokumenteve do të jepen vetëm në rrugë elektronike përmes portalit qeveritar e-Albania.

Por të moshuarit janë shtresa që do të kenë vështirësi në integrimin e këtij shërbimi.

Pedagogu Endri Shabani nga Nisma “Thurje” në një intervistë për emisionin “Jeto me Orën” në RTV Ora është kundër digjitalizimit të çdo shërbimi.

Në gjykimin e tij shteti kursen ca para por rrit kostot financiare për qytetarin, sikundër është një rrezik dhe për ekspozimin dhe keqpërdorimin e të dhënave personale.

Shabani: Qeveria do kursejë disa para duke e ofruar këtë shërbim. Qytetari që nuk di të përdorë sistemin prapë do ketë nevojë për një ndihmë por këtë ndihmë me shumë gjasë do t'ja ofrojnë qendrat e internetit, disa qendra noterie, disa privatë që ekspozojnë dy probleme. Së pari rrisin koston e shërbimeve publike, pra një shërbim që deri dje merrej pa pagesë shtesë por thjesht me taksat që ne paguajmë, tani qytetari do të paguajë dhe taksa dhe disa privatë që do ofrojnë këtë shërbim. Së dyti është ekspozimi i të dhënave personale ndaj aktorëve të tretë që nuk kanë ndonjë lloj përgjegjësie të madhe.