Burg për 5 të arrestuarit për konfliktin në Pogradec, ende në kërkim autorët e plagosjes
Familjarët kishin mbushur sheshin para gjykatës së Pogradecit kur aty u paraqitën të rijtë e arrestuar si përkrahës të ayutorëve plagosjes së Johan Muçllarit, djalit të pronarit të hotel "Voloreka" në Pogradec.
Në seancën me dyer të mbyllura e masa te shtuara sigurie, togat e zeza caktuan masën e sigurisë “arrest me burg” për Fatjon Bono, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho.
Ndaj tyre prokuroria e Pogradecit ka ngritur akuzat “moskallëzimi i krimit”, “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.
Sipas policisë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata ndihmuan Firdeus Berberin dhe Griseld Maxharin të largoheshin pasi plagosën me armë zjarri dhe thikë Johan Muçllarin.
22-vjeçari u godit me thikë në kokë dhe më plumb në këmbë, për të cilat u trajtua në Spitalin e Traumës.
Firdeus Berberi 21 vjeç dhe Griseld Maxhari 23 vjeç kane humbur gjurmët dhe mbeten të lirë në arrati.
Ngjarja ka lidhje me një konflikt disa vjeçar mes dy familjeve.
Në gusht të vitit 2020, hoteli "Voloreka" në Tushemisht, në pronësi të Jetmir Muçllarit, u sulmua me breshëri arme zjarri.
Organizator i sulmit në atë rast dyshohet se ishte Ilir Berberi, i njohur ndryshe si “Lili i Rushkës”, një person me precedent penalë.
