Vuri bilardon në dispozicion të lojërave të fatit, arrestohet 33-vjeçari në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar një 33-vjeçar i cili kishte  vendosur subjektin e tij (bilardo) në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit dhe gjatë kontrollit nuk iu bind urdhrave të punonjësve të Policisë.

Pas finalizimit të operacionit "Pages" u arrestua në flagrancë M. M., 33 vjeç, banues në Vorë, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara", "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".

Gjatë ndërhyrjes në subjektin në administrim nga ky shtetas, në rrugën "Rinia", në Vorë, 33-vjeçari nuk i është bindur urdhrave të punonjësve të Policisë, për kontroll.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të celularit të shtetasit M. M., gjetën faqe që shërbejnë për vendosjen e basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy aparate celulare, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga ky aktivitet i paligjshëm dhe lista të ndryshme me të dhëna/faqe për vendosjen e lotarive sportive.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara", "Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara" dhe "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".