Porositë e SHBA-së për opozitën dhe Ramën
Një ditë para Kuvendit Kombëtar të Komisionit të Rithemelimit ndihmës/sekretarja e shtetit për çështjet Europiane dhe Euroazitatike Karen Donfried i ka shkuar në zyrë demokratit Enkelejd Alibeaj. Por në ndryshim nga tradita, takimi me zyrtaren amerikane u zhvillua në Kryesinë e Kuvendit dhe jo në selinë blu, e cila ishte e zënë me organizimin e Kuvendit të Sali Berishës.
Për të treguar mbështetjen amerikane ndaj opozitës së tij, Enkelejd Alibeaj pas takimit dha një mesazh për kundërshtarin të tij brenda partisë Sali Berishën.
"Mora mbështetjen e zonjës për mbështetjen e fortë për një opozitë të fortë, të qëndrueshme. Një opozitë pro-amerikane e cila sheh nga e ardhmja"
Por nga ana tjetër kur u pyet drejtpërdrejt nësë në takimin mes tre përfaqësuesve të opozitës dhe palës amerikanë u përmend emri i Sali Berishës, Alibeaj kërkoi ta sfumojë protagonizmin e ish kryeministrit.
"Në takime diplomatike thuhen ato çështje të cilat janë të rëndësishme për Shqipërinë dhe për shqiptarët dhe sfidat që ne kalojmë. Besoj se në ato që ju thashë e kuptoni fare mirë që çështje të tilla si demokracia ,shteti i së drejtës, lufta me korrupsionin janë çështje të cilat i interesojnë shqiptarëve"
Më herët zëvendësndihmës sekratrja e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatik, e shoqëruar edhe nga vartësi i saj Gabriel Escobar ka takuar edhe kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama për më shumë se 60 minuta.
Temat e diskutimit zyrtaren amerikane, kryeministri i zbardhi në facebook, por pa harruar të nënvizojë që në takimin me dyer të mbyllura SHBA i ka dhënë mbështetje atij për të vijuar me Ballkanin e Hapur.
Diskutuam gjerësisht për forcimin e drejtësisë, investimet strategjike në energji, veton e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, situatën në rajon, si edhe për mbështetjen e plotë që Shtetet e Bashkuara i japin Ballkanit të Hapur.”
Në ndryshim nga vizitat në Serbi, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, Në Tiranë përfaqësuesja e DASH shmangu takimet me Presidentin Meta si dhe me përfaqësues deputetë të Komisionit të Rithemelimit të PD.



