Detaje të reja nga konflikti në Pogradec: U nis për në shkollë. Autorit iu bllokua pistoleta, e sulmoi me thikë
Zbardhen dinamika e plagosjes së rëndë e Johan Muçllarit, djalit të biznesmenit Jetmir Muçllarit në Pogradec, i cili u sulmua me armë zjarri pistoletë dhe më pas thikë, nga Freard Berberi dhe shoku i tij, Griseld Maxhari.
Bllokimi i pistoletës dhe më pas përleshja fizike mes autorit të krimit Freard Berberi dhe të plagosurit Jetmir Muçllarit, i ka shpëtuar jetën këtij të fundit, pasi ngjarja mund të kishte përfunduar me viktima.
KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE
Burime pranë prokurorisë së Pogradecit thanë se pasditën e së hënës, 25 prill 2022, Johan Muçllari së bashku me kushëririn e tij, janë nisur me makinën e tyre për të ardhur në Tiranë, pasi Johani ndjek studimet “master” në Universitet.
Në dalje të Pogradecit, Johani është thirur në telefon nga Freard Berberi, djali i Ilir Berberit ose siç njihet ndryshe “Liri të Rrushkës”, duke i kërkuar të sqaronin diçka së bashku.
Por teksa Freardi ka shkuar të takojë Johanin,ai ka filluar ta ofendojë rëndë me fjalë këtë të fundit.
Nga shkëmbimi reciprik i fjalëve, Johan Muçllari, i ka pohuar Freard Berberit se nuk e kishte aspak frikë. Por në këtë moment Berberi, ka nxjerë një pistoletë nga brezi, duke ia drejtuar Muçlarit dhe pohuar se: “…nëse këtë e kishte frikë apo jo…”
Berberi e ka qëlluar me një plumb të vetëm në këmbë Johanin, duke i dëmtuar rëndë kockën. “…arma nuk ka bërë shkrepje të tjera pasi është bllokuar…”-thanë burimet pranë prokurorisë së Pogradecit, raporton Ora News.
Ndërsa mes dy protagonistëve në këtë moment ka pasur një përleshje fizike, ku Johani ka arritur të neutralizojë dhe mos lejojë Freard Berberin të rimbushte armën.
Gjatë përleshjes për kontrollin e armës, pistoletës i është rrëzuar në tokë dhe karrikatori.
Në këtë moment Berberi ka nxjerë një thikë nga brezi, duke sulmuar me të Johan Muçllarin, i cili tashmë qëndronte i shtrirë.
Në ndihmë të Berberit, thotë prokuroria ka ardhur dhe shoku i tij, Griseld Maxhari, i cili e ka goditur disa herë me grushta.
Si pasojë e sulmit me thikë, Johan Muçllari, ka pësuar një plagë në kokë dhe një në krahë. Pas kësaj situate, Berberi dhe Maxhari, janë larguar me një automjet tip “Golf 6”, që tashmë është gjendur dhe sekuestruar nga policia e Pogradecit.
Ndërsa për këtë ngjarje të rëndë, mëngjesin e sotëm policia e Pogradecit, njoftoi se kishte arrestuar 5 shokët e dy autorëve të shpallur në kërkim, të cilët kishin ndihmuar Berberin dhe Maxharin për tu larguar dhe shmangur policisë. Fatjon Bono, Kristian Kresto, Hekuran Gjona, Ledion Shkullaku dhe Rudi Shaho, akuzohen për “Moskallëzim krimi” dhe “Përkrahje të autorëve të krimit”.
Goditja me armë, vjen në një kohë kur ndaj Johan Muçllarit janë kryer disa atentate dhe shkatërim prone.Si pasojë e këtyre përplasjeve, prokuroria ka arresuar disa persona, mes tyre dhe babain e Freard Berberin, Ilir Berberin ose siç njihet ndryshe në Pogradec si “Liri i Rrushkës”.

