"Opozitë e fortë" ambasada amerikane zbardh takimin me zyrtarët e SHBA

Ambasada amerikane ka ndarë detaje nga vizita e ndihmës sekretares së Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe të dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Shqipëri.

Qëllimi i vizitës së tyre ishte për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried , shkruan ambasada.

Dy zyrtarët e lartë rikonfirmuan mbështetene tyre për vijimin e reformave e sidomos asaj në drejtësi. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë.

"Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm, dhe drejtuesit e opozitës. Qëllimi i vizitës së tyre ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe.

Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ata theksuan gjithashtu rolin e pazëvendësueshëm të një opozite të fortë në demokracinë e Shqipërisë, theksuan rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata", thuhet në njoftimin e ambasadës.

Zyrtarët fillimisht takuan kryeministrin Rama në selinë qeveritare dhe më pas përfaqësuesit e PD në kryesinë e Kuvendit. Të pranishëm në takim ishin deputetët demokratë Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj dhe Gazment Bardhi.