"Çmendet" sërish Bordi, rriten sërish çmimet e të gjithë karburanteve
Janë shtrenjtuar sërish çmimet e karburanteve në Shqipëri. Bordi i Transparencës ka vendosur që të rrisë me 10 lekë për litër çmimin e naftës dhe benzinës.
Sipas vendimit të fundit të Bordit, i cili hyn në fuqi në orën 18:00 një litër naftë do të shitet 243 lekë për litër.
Kujtojmë se gjatë kësaj jave çmimi i naftës është rritur disa herë.
Nga 226 lekë litri që u vendos më 26 mars në 233 dy ditë më parë, për të arritur në 243 lekë këtë të premte.
Rritje me të njëjtën vlerë ka shënuar dhe benzina, e cila do të tregtohet kundrejt 223 lekëve, nga 213 që ishte deri më sot.
Të njëjtën tendencë ka ndjekur edhe gazi, i cili është rritur me 2 lekë.
Ky është niveli më i lartë i çmimeve të fiksuara nga Bordi i Transparencës që prej 25 marsit ku një litër naftë u shit kundrejt 245 lekëve për litër.
Shtrenjtimi i çmimeve reflekton situatën në tregjet ndërkombëtare, ku një fuçi naftë prej më shumë se një jave po luhatet poshtë vlerës së 110 dollarëve.
Ajo që vihet re është se Bordi i krijuar nga qeveria pasi nafta arriti nivele rekord jo gjithmonë reflekton çmimet e karburantit në bursë.
Kjo pasi kur nafta në tregjet ndërkombëtare ulet, çmimi në tregun vendas mbetet në nivele të larta.
