"Dialogu kërkon durim strategjik", Rama: Ukraina, një arsye më shumë për paqen përfundimtare në Ballkan

Shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, nxiti edhe njëherë Kosovën dhe Serbinë të avancojnë me dialogun drejt një paqeje përfundimtare.

Në konferencën me komisionerin e Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, Rama tha se situata e krijuar në Ukrainë nuk është një arsye më shumë për të menduar se do të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan por  një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan.

E duke kujtuar se ky nuk është një proces dhe aq i lehtë, Rama citoi kryeminstrin  hungarez kur tha se procesi kërkon një durim strategjik.

Rama: Unë mendoj që ajo që po ndodh në Ukrainë nuk është një arsye më shumë për të menduar se do të kemi një Ukrainë të dytë në Ballkan por një arsye më shumë për të intensifikuar përpjekjet për paqen përfundimtare në Ballkan. Nuk diskutohet që është shumë e lehtë ta thuash dhe është shumë e vështirë ta bësh paqen përfundimtare por nuk ka asnjë rrugë tjetër.

Edhe historia e konfliktit mes Rusisë dhe Ukrainës, kulmin e të cilit ne po shohim sot por ka pasur një proces, duhet të na mësojë shumë për "PSE-në" e intensifikimit të paqes përfundimtare dhe paqja nuk bëhet me mikun por me armikun. Në këtë rast paqja bëhet me armikun e deridjeshëm që nuk është miku i sotëm i Kosovës por që është aty, as Serbia, as Kosova nuk do ikin në ndonjë vend tjetër, janë aty.

Kosova është një realitet që është aty nuk e ndryshon dot askush, edhe Serbia po ashtu. Është në interesin e të dyja palëve që të bëjnë paqen përfundimtare. Nuk kam gjetur një që të thotë që Kosova nuk duhet të ulet në dialog me Serbinë, të gjithë përsërisin të njëjtën gjë dhe këta nuk janë njerëz proserbë dhe as antikosovarë, janë njerëz që përfaqësojnë shpëtimtarët e Kosovës.

Kosovën e kanë shpëtuar këto shtete, shtetet e mëdha të BE dhe SHBA. Pa këto Kosova nuk do të ishte dot e pavarur me gjithë respektin për UÇK. Kur këto përsërisin se duhet dialog unë nuk kuptoj si mund ta shohim ndryshe këtë punë.Kjo do durim.

Për të cituar kryeministrin Orban, ky proces kërkon një durim strategjik. Ky nuk është një virtyt shqiptar dhe as ballkanik, por duhet durim strategjik.