BE më indiferent ndaj rajonit se SHBA? Rama: Nuk është e drejtë, janë vëmendje të natyrave të ndryshme
Edhe pse ka kritikuar në vijimësi burokracitë e Brukselit në raport me hapjen e negpciatave të Shqipërisë, kryeministri Edi Rama nuk mendon se BE ka më pak vëmendje ndaj rajonit sesa SHBA.
Për Ramën janë vëmendje të natyrave të ndryshme, teksa renditi një sëri projektesh për Shqipërinë dhe rajonin me fondet e BE.
Nga ana tjetër Rama vlerësoi sinergjinë që ekziston mes SHBA dhe BE për rajonin duke kujtuar se nuk ka qenë gjithmonë kështu.
Rama: Nuk është e drejtë të thuhet se SHBA kanë më shumë vëmendje ndaj këtij rajoni se BE. Janë vëmendje të natyrave të ndryshme. BE edhe falë politikës së re të ndjekur nga Varhelyi ka rritur vëmendjen si asnjëherë më parë ndaj këtij rajoni.
Plani ekonomik i investimeve është diçka e pandodhur ndonjëherë më parë dhe bëhet fjalë për investime shumë më të mëdha sesa ato që vendet e Ballkanit mund të bëjnë vetë. Komisioneri para se të vinte këtu ishte në territor për të parë disa investime të BE.
Ne kemi vendosur një volum shumë të madh të ardhurash të shtetit shqiptar për rindërtimin por BE ka vendosur po ashtu një volum të konsiderueshëm fondesh, jo kredi por grant, për rindërtimin e shkollave dhe kopshteve. Ndërkohë që cilësia e punës dhe kushtet e krijuara për fëmijët dhe mësuesit flasin vetë.
Së treti, BE sëbashku me Shqipërinë është angazhuar shumë seriozisht për një projekt shumë të rëndësishëm strategjik për ne dhe rajonin, gazsjellësi Adriatiko-Jonian.
Qoftë komisioneri qoftë Komisioni si i tërë, qoftë ne nga ana jonë, kemi intensifikuar bisedat me Azerbajxhanin për të pasur një orë e më parë një kapacitet të plotë për fillimin e ndërtimit të këtij gazsjellësi dhe këtu fondet i vë BE pavarësisht se mund të ketë aktorë të tjerë që mund të vendosin të përfshihen si partnerë në këtë investim të madh.
Për të gjitha këto arsye unë nuk do të thosha që SHBA e kanë më shumë në vëmendje rajonin se BE. Së fundi, sot ne kemi një sinergji të plotë mes SHBA dhe BE, nuk ka qenë gjithmonë kështu në çdo moment.
Edhe SHBA janë në një proces për të shtyrë përpara çeljen e negociatave zyrtarisht për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për të mos folur për shumë aspekte të tjera.
