Shqiptarët të tallur nga BE për negociatat? Vihet në siklet Varhelyi: Vendimin e kanë në dorë shtetet anëtare

Eurokomisioneri Oliver Varhelyi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, është vënë në siklet teksa është pyetur se a duhet të ndihen shqiptarët të tallur nga Këshilli Evropian, pasi çdo vit bëhen të njëjtat deklarata për negociatat, por pa asnjë rezultat.

Në fjalën e tij ai tha se vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë e kanë në dorë vendet anëtare të BE. Ndër të tjera ai tha se ata mund të promovojnë arritjet e shteteve, por jo të marrin vendime.

Pyetje: Përsëritet vetveten me deklaratat që keni mbajtur një vit më parë dhe vazhdon e njëjta situatë. A mendoni se shqiptarët duhet të ndihen të tallur nga Këshilli Evropian?

Oliver Varhelyi: Po, është pyetje e fortë kjo, por është në fakt një situatë serioze, dhe pyetja është serioze. Kështu që, në rast se do t’ju pyesja juve me të njëjtin ton që më keni pyetur ju mua, atëherë do të thoja: Nuk është Shqipëria ajo me të cilën po tallet njeri. Në rast se ne nuk vendosim për këtë gjë, ne po tallemi me vetveten, BE po tallet me vetveten, por është një fjalë shumë e fortë kjo për një Komisioner për ta thënë, kështu që nuk po them këtë gjë. Ajo që do të them është kjo: Që ne mund të promovojmë dhe ky është edhe roli i komisionit që të promovojë arritjet e secilit prej shteteve kandidate dhe  në ato momente që përmbushen, që janë plotësuar kriteret, ne e themi këtë gjë, por vendimin nuk e kemi ne në dorë, vendimin e kanë shtetet anëtare. Dhe kjo është arsyeja se pse unë po bëj këtë tur dhe këtë punë fort, në këtë tur intensiv, në mënyrë që ne të ecim përpara për një shtet anëtar që duhet të marrë vendimin dhe nëqoftëse mund ta them në formë diplomatike sepse siguria e BE po komprometohet dhe prandaj ne duhet ta bëjmë këtë gjë tani dhe besueshmëria jonë po vihet në pikëpyetje.