Triumfon “Grande Rio”, parada kundër intolerancës fetare fiton Karnavalet e Rios

Parada me temë kundër intolerancës fetare triumfoi këtë vit në karnavalet e Rios. Ishte shkolla e sambas “Grande Rio” e cila me performancën e saj fitoi për herë të parë çmimin e parë.

Shkolla e sambas “Grande Rio” u kurorëzua kampione e karnavaleve të Rio de Zhaneiros, në një edicion që shënoi rikthimin e shumëpritur në Sambadrome pas pandemisë.

“Grande Rio” mori titullin e parë në historinë e saj duke çmitizuar hyjninë me origjinë afrikane Exú, një figurë që shpesh përballet me paragjykime nga disa grupe të krishtera që e lidhin atë me djallin.

Me makina imponuese alegorike, koreografi dhe kostume të përpunuara për muaj të tërë, parada u projektua "kundër racizmit fetar dhe procesit historik që Exú demonizoi, për t'i kënduar jetës", tha drejtori artistik i “Grande Rio”, Leandro Bora, pas triumfit.

Dymbëdhjetë shkollat kryesore të sambas u rikthyen me gjithë shkëlqimin e tyre dhe tronditën Sambadromin për dy net, fundjavën e kaluar, përpara një publiku prej 70,000 personash.

Ndryshe nga grupet e tjera tradicionale si “Mangueira” dhe “Portela”, të themeluara në vitet 1920, “Grande Rio” u shfaq në 1988 dhe nuk kishte fituar kurrë vendin e parë në konkurs.

Në mesin e gjashtë më të mirëve të vendosur këtë vit, të cilët do të prezantohen sërish të shtunën e ardhshme në “Paradën e Kampionëve”, thuajse të gjithë apeluan kundër racizmit dhe intolerancës fetare, flamuj që kanë marrë një rëndësi më të madhe gjatë qeverisjes së presidentit të ekstremit të djathtë Jair Bolsonaro.