BE kërcënon "fjalën e lirë": Elon Musk nuk mund të bëjë çfarëdo me Twitter

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Elon Musk që t’i përmbahet rregullave të bllokut, ndërsa miliarderi po privatizon rrjetin social Twitter. Shqetësimet e BE-së vijnë pasi biznesmeni do t’u mundësojë përdoruesve të platformës lirinë e fjalës, të cilën sipas tij, Twitter e kishte censuruar më herët.  

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar miliarderin Elon Musk se me privatizimin e Twitter nuk mund të shpërndajë çdo lloj përmbajtje, ndërsa biznesmeni thotë se është një absolutist i fjalës së lirë.

Shefi i Tregut të Brendshëm për bllokun evropian, Thierry Breton tha se Elon Musk duhet të ketë të qartë se BE ka rregulla strikte për platformat online dhe përmbajtjen që duhet të qarkullojë në to.

"Unë mendoj se Elon Musk e njeh Evropën shumë mirë. Ai e di shumë mirë se ne kemi disa rregulla për industrinë e makinave dhe ai e kupton këtë. Pra, në Evropë, për të mbrojtur lirinë e fjalës dhe për të mbrojtur individët, çdo kompani do të duhet të përmbushin disa detyrime. Është në dorën e Twitter që të përshtatet me rregullat tona. "

Musk e bleu kompaninë Twitter për 44 miliardë dollarë nën moton për ta çliruar nga censura duke e quajtur veten ‘absolutist të fjalës së lirë’.

Zyrtari i BE-së, Thierry Breton paralajmëron biznesmenin se përmbajtjet e ndaluara nuk duhet të shfaqen në internet.

"Hapësira e informacionit nuk i përket asnjë kompanie private, ajo është pjesë e përgjegjësisë sonë si politikanë. Ashtu si hapësira territoriale, hapësira ajrore edhe hapësira digjitale është përgjegjësia e jona për ta organizuar. Bashkimi Evropian ka rregulla sipas të cilave përmbajtja e ndaluar nuk duhet të shfaqet në internet.

Sipas rregullave të reja të Bashkimit Evropian, të miratuara një javë më parë, platformat me mbi 45 milionë përdorues do të përballeshin me gjoba marramendëse nëse i shkelnin ato.

Rregullorja ndalon reklamat me fëmijë, të bazuara në fe, gjini, racë ose opinione politike.

Kompanitë e medieve online do të përballeshin me gjoba deri në 6% të të ardhurave të tyre vjetore e deri në mbylljen e tyre, nëse përsërisin shkeljet.