Mark Milley: Pushtimi rus i Ukrainës kërcënon "rendin global të sigurisë ndërkombëtare"

Gjenerali më i lartë amerikan Mark Milley ka reaguar për luftën në Ukrainë duke thënë se aty është në lojë fati i rendit ndërkombëtar aktual që kemi. Sipas ushtarakut amerikan, nëse rusët dalin pa u lagur nga kjo luftë, ky rend që kemi s’do e sigurojë më paqen.

Shefi i shtabit të përgjithshëm ushtarak amerikan Mark Milley ka thënë se rendi ndërkombëtar i vendosur pas Luftës së Dytë Botërore është në rrezik.

Gjenerali më i lartë amerikan ishte në bazën ajrore Ramstein në Gjermani kur bëri këtë deklaratë. Sekretari i Mbrojtjes Austin kishte mbledhur aleatë nga dyzet vende të botës dhe shumë ushtarakë për të diskutuar ndihmën që do t’i jepet Ukrainës për të kundërshtuar pushtimin rus.

I gjithë rendi ndërkombëtar do të shkatërrohet nëse presidenti rus Vladimir Putin largohet "pa kosto" me luftën e tij të paprovokuar kundër Ukrainës , tha Mark Milley. 

"Nëse nuk ka përgjigje për këtë sulm, nëse Rusia largohet pa kosto, atëherë kështu shkon edhe i ashtuquajturi rend ndërkombëtar".

Milley tha se rendi botëror i pasluftës ka "parandaluar luftën e Fuqive të Mëdha, duke nënvizuar se i gjithë koncepti është se kombet e mëdha nuk do të kryejnë agresion ushtarak kundër kombeve më të vogla.

Por kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur sot, një sulm i paprovokuar ushtarak nga Rusia ndaj një vendi më të vogël”. 

Rusët ndërkaq kanë thënë se janë në luftë me NATO-n pas këtij armatimi që dërgojnë aleatët në Ukrainë.

Amerikanët janë të vendosur që ta armatosin deri në dhëmbë Ukrainën që t’i bëjë ballë pushtimit dhe të ruajë sovranitetin e saj.

Lufta në Ukrainë ka hyrë në muajin e tretë, ndërsa mijëra civilë janë vrarë, miliona ukrainas janë shpërngulur nga shtëpitë e tyre.

Pas mosmarrjes së Kievit, rusët kanë ndryshuar strategjinë e tyre duke nisur një operacion ushtarak në Lindje të Ukrainës.