Pas 2 vitesh pandemi, rikthehen karnavalet e Rios
Me mesazhe kryesisht kundër racizmit, në Brazil kanë hapur siparin Karnavalet e Rios. Eventi që tërheq me miliona turistë, vjen dy vjet pas pandemisë duke i rikthyer lumturinë brazilianëve.
Brazili mban karnavalet e para që nga shpërthimi i pandemisë, dy vjet më parë. Me dhjetëra shkolla të Sambas mbushën rrugët e Rio de Zhaneiros dhe sheshin "Sambadrome", vendi ikonë i paradës së karnavaleve, i cili ishte kthyer në një qendër vaksinimi në kulmin e krizës shëndetësore.
"Jam shumë e lumtur. Mendoj se shumë njerëz do të qajnë nga emocioni... bashkëme mua," tha mësuesja e gjeografisë, Ana Vieira, 48 vjeç, e cila kishte veshur një kostum të bardhë gjigant dhe shkëlqyes për të parakaluar për shkollën samba Imperatriz.
“Ju mund ta shihni lumturinë në fytyrat e njerëzve pas dy vitesh pritje”.
Kampionët në fuqi, “Viradouro”, i bënë homazhe karnavalit epik të Rios të vitit 1919, i pari i kremtuar pas shkatërrimit të një tjetër pandemie, gripit spanjoll.
"Asnjë trishtim nuk mund të përballojë kaq shumë gëzim," thotë kënga e tyre.
"Është një letër dashurie për karnavalet... për kthimin nga një krizë shëndetësore, heqjen e maskave dhe të qenët më të fortë se më parë," tha emigranti amerikan Leslie Mercado, 48 vjeç.
Çdo grup në konkurs ka 60 deri në 70 minuta për të treguar një histori në muzikë dhe vallëzim, të vlerësuar në nëntë kritere nga juria. Nga 12 shkollat, tetë zgjodhën tema që trajtonin padrejtësitë racore ose kulturën dhe historinë afro-braziliane, të ngarkuara me probleme në një vend ku presidenti aktual, Bolsonaro është përballur me akuza të shpeshta për racizëm.
"Brazili ende vuan nga racizmi. Asgjë nuk ka ndryshuar. Lagjet e varfëra, uria, varfëria... kanë një ngjyrë këtu: të zezën," tha Aristoteles Silva, 52 vjeç. "Unë shpresoj se zgjedhjet do të sjellin një ndryshim total."
Shkolla “Unidos da Tijuca” ia kushtoi shfaqjen e saj fisit Saterre Mawe, për të përfaqësuar "rezistencën e njerëzve indigjenë që historikisht janë masakruar" në Brazil dhe për të tërhequr vëmendjen ndaj "ruajtjes së mjedisit".
Karnavalet gjithashtu pritet të ofrojnë një lehtësim të nevojshëm për ekonominë e goditur nga pandemia. Të gjithë pjesëmarrësit, më shumë se 75,000 që priten çdo natë duhet të paraqesin vërtetimin e vaksinimit.
