Berisha: Sektori i arsimit ka degraduar, militantët zëvendësojnë mësuesit profesionist. I përgjigjet Kushi
Ish-Kryeministri Sali Berisha, nga foltorja e Kuvendin, ka folur edhe për sistemin e arsimit duke thënë se ky sektor ka degraduar.
Berisha ka përmendur disa shkaqe që sipas tij ka çuar në degradimin e këtij sektori, ku ndër të tjera tha se në militantët e partisë kanë zëvendësuar mësuesit profesionist.
Sali Berisha: Në rast se ka një sektor që ka degraduar me shpejtësi është sistemi i arsimit. Sot ky sistem për shkak të praktikave fund e krye korruptive, të ngritjes në drejtim te vulgut dhe injorancës, është në rënie të lirë në të gjitha ciklet. Dy vite më parë ishin të mbyllura 620 shkolla, sot me siguri numri i tyre është më i madh. Sistemi i interneti që u shtri në çdo shkollë, me 25 mijë kompjuterë total, me furnizim satelitor sot është rudimentar. Universitete e rretheve janë në proces falimentimi dhe mbylljeve. Shkaku i këtyre është largimi masiv i shqiptarëve. Shkak tjetër është përpjekja për të kthyer ne selektivitetin të pranimit në universitete, me mesatare. Shkak tjetër është degradimi i procesit mësimor për shkak të armatës së militantëve që ka zëvendësuar mësuesit profesionist.
Berishës i është kundërpërgjigjur ministrja e arsimit Evis Kushi, ku i ka listuar arritjet dhe ndryshimet që sipas saj janë bërë në arsim.
Evis Kushi: Berisha në të gjitha fjalët që thatë, bie dakord vetëm për një gjë, që sistemi arsimor duhet të jetë një nga sektorët më serioz. Përmendët mesataren si kriter ndryshe nga ju që të gjithë të rinjtë i çonit në Universitet për të fshehur papunësinë, por që ata të rinj, mbaronin për ekonomik dhe punonin si garantim.
Portali “Mësues për Shqipërinë” është një nga arritjet tona më të mëdha, garanton transparencë në punësimin e mësuesve. Në kohën tuaj nuk kishte asnjë kriter se si punësohen mësuesit. Përmendët tarifa, kur ne i kemi përgjysmuar tarifat. Kemi dhënë dhe bursa. Përmendët doktoraturat. Në kohën tuaj një doktorant udhëhiqte 20 studentë, ndërsa tashmë me kriteret tona profesori udhëheq vetëm 3 studentë.
