"Dy në burg, dy non-grata nga SHBA”, Salianji akuza qeverisë: Deputetët tuaj u mbushën thesin me vota në 25 prill

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji,ka hedhur akuza ndaj qeverisë, është shprehur se deputetët e PS të cilët janë shpallur ‘non –grata’ nga SHBA(referuar Aqif Rakipit) kanë  vjedhur votat në zgjedhjet  e 25 prillit.

Në  fjalën e tij n Kuvend, Salianji teksa i është referuar raportit të DASH, shprehet se nuk ka asnjë reagim nga mazoranca, ndërsa thekson se deputetët “Non Grata”(Rakipi dhe Tom Doshi) dhe dy deputetët në burg, (Lefter Koka dhe Alqi Bllako) kanë ndikuar në mënyrë të drejtëpërdrejt për t’i dhënë mandatin PS.

Ervin Salianji: Sot nuk dëgjojmë asnjë prej përfaqësuesve të mazhorancës që të përmendin atë që e përmendin thuajse rëndomtë, për ndodhitë a ngjarjet që vijnë përtej oqeanit. Sot nuk shoh asnjë prej përfaqësuesve të mazhorancës të flasë për raportin e DASH. Atë që e di i madh dhe i vogël në këtë vend, atë që e di çdo qytetar shqiptar për korrupsionin, vjedhjen e zhvatjen, lidhjen e politikës me krimin. Për pandëshkueshmërinë, për mos ecjen në mënyrën e duhur të shpejtë të gjithë proceseve në sistemin gjyqësor dhe padiskutim ajo që kemi thënë prej kohësh, që në zgjedhje kishte përfshirje në blerjen e votave, rrjedhjen e të dhënave personale.

Ku ky sistem gjyqësor nën ndikimin e qeverisë, në vend që të hetonte personat të cilët i dhanë avantazh të konsiderueshëm PS-së, duke rrjedhur të dhënat personale, hetuan gazetarët dhe portalin që publikoi këto të dhëna. Praktikisht, për shkak të qenit në pushtet, PS pati avantazhe të ndjeshme që i përdori në zgjedhje. Një pjesë e madhe apo e vogël, ata që janë të shpallur apo të kapur deri më sot, janë deputetë që e kanë mbushur thesin e votave të PS-së. Diferenca e kësaj ane me anën tjetër në zgjedhjet e 25 prillit, ishte sa vota e dy deputetëve.

Dy në burg, dy të shpallur non-grata nga SHBA të çilët kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë që diferenca, sipas raportit të DASH, jo më sipas akuzave, të bëjnë diferencën për t’i dhënë mazhorancën kësaj qeverie.

Ndër të tjera Salianji shprehet se në vendin tonë është bërë e pamundur të jetohet për shkak të kapjes së shtetit, ndërkohë që kriminelët lëvizin lirshëm rrugës.

Ervin Salianji: Duke qenë se nuk ka legjitimitet moral për të qeverisur, vetëm në këtë javë qytetarët kanë marrë lajme të zeza. Rritja e çmimit të energjisë, taksave për shkak të zhvatjes. Në Shqipëri është bërë e pamundur të jetohet për shkak të kapjes së shtetit. Shiko ku është niveli i kriminalitetit në këtë vend. Kriminelë të cilët nuk kapen dot nga policia. Pavarësisht se Shqipëria ka kapacitetet. I shohin qytetarët se si dy kriminel gjuajnë ndaj njëri-tjetrit. Nuk ka kapacitet policia për t’i izoluar, por kriminelët kanë kapacitet për të gjuajtur njëri-tjetrin. Një pjesë të madhe të këtyre banditëve dhe llumit të shoqërisë shqiptare i ka përdorur për vota të PS-së dhe për një pjesë të madhe të deputetëve që kanë ardhur në këtë parlament. Si i përgjigjet kjo mazhorancë krizës që ka vendi?