Koka e Bllako dëshmi në SPAK, pyeten si persona të pandehur për incineratorët
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti i PS, Alqi Bllako të arrestuar për çështjen e incineratorëve, do të merren në pyetje nga prokuroria e posaçme, SPAK. Prokurori Dritan Prençi ka kërkuar shpjegime në lidhje me aferën e incineratorit të Elbasanit dhe të Fierit. I pari që është shoqëruar nga burgu në zyrat e SPAK është Alqi Bllako ndërkohë pas tij do të pyetet ish-ministri Lefter Koka.
Hetuesit e SPAK kanë nisur marrjen në pyetje të personave të përfshirë në aferën me incIneratorëve të Fierit dhe Elbasanit, për të cilët Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAK ka vendosur edhe masat e arrestit.
Të arrestuarit do të pyeten në cilësinë e personave te pandehur pasi më herët janë pyetur si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.
Me kërkesë të prokurorit Dritan Prençi, i pari që është thirrur për të dhënë shpjegime është ish-Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe ish-deputeti Alqi Bllako, i cili së bashku me avokatin e tij janë pyetur në lidhje me akuzat.
Pas tij të premten në orën 10:00 të paradites është lënë seanca për të marrë në pyetje ish-ministrin Lefter Koka, i cili tashmë ndodhet në paraburgimin e Durrësit.
Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi sipas SPAK ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Kjo shkelje, sipas Prokurorisë së Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.
Ish-ministri akuzohet për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me Lefter Kokën, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.
Kjo pagesë, iu dha ish-ministrit si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit.
SPAK ka sekuestruar kompanitë "Albtek Energy”, pra incineratorin e Elbasanit, “Integrated Technology Services” si edhe aksionet e Kokës në kantinën e pijeve "Gjergj Kastrioti Skenderbeu”.
