"Shtëpi bari" në Krujë, dy të arrestuar brenda magazinës me 700 bimë kanabisi, në kërkim pronari me bashkëpunëtorët

Një shtëpi bari ku po kultivoheshin rreth 700 rrënjë bimë narkotike u zbulua në Krujë. Punëtorët u vunë në pranga, ndërsa pronari i laboratorit të drogës dhe dy bashkëpunëtorë janë ende të lirë.

Mbi 700 rrënjë kanabis sativa po kultivoheshin përmes ngrohjes me llamba në këtë "shtëpi bari" të zbuluar në Krujë.

Gjon Gazulli dhe Gojart Pelivani u gjetën duke i shërbyer bimëve narkotike, kur forcat speciale të policinë mësynë aty pasi kishin marrë informacion se magazina ishte kthyer në laborator droge.

Të rinjtë dyshohet se janë vetëm punëtorë, pasi organizatorët siç pranon policia janë të lirë.

Pronari i objektit Velidjan Broça, si dhe vëllezërit Dashamir dhe Ledjan Vathi të dyshuar bashkëpunëtorë në kultivimin e drogës, u shpallën në kërkim.

Lidhja e paligjshme e energjisë që furnizonte llambat e kanabisit çoi në pranga dy punonjës të OSHEE.

Ardian Hysa, me detyrë elektricist dhe Lulzim Mançe, me detyrë lexues i aparatit matës akuzohen për shpërdorim detyre.

Bimët narkotike që siç tregojnë pamjet ishin në fazë të avancuar rritje u asgjësuan, ndërsa llambat dhe materialet e tjera u sekuestruan.

Hetimet në kuadër të operacionit të koduar "Çinari" vijojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.

Operacionet e Policisë së Shtetit kanë konfirmuar se Kruja mbetet një prej zonave të kuqe të kultivimit të bimëve narkotike në të ashtuquajturat "shtëpi bari" ose parcela të hapura.

4 laboratorë dhe 10 sera të mbjella më bimë narkotike janë zbuluar atje vetëm javët e fundit.