Grabitën 10 mln euro në Rinas, SPAK kërkon 157 vite burg për Talo Çelën dhe 7 të akuzuarit e tjerë

157 vite burgim është pretenca e paraqitur nga prokuroria në gjykatë për grupin prej tetë personash të akuzuar për grabitjen e dhjetë milionë eurove në pistën e Rinasit në vitin 2019. Personazhi kryesor i grupit është Talo Çela, i dyshuar për disa ngjarje vitet e fundit, për të cilin u kërkuan 19 vjet heqje lirie.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar në gjykatë dënimin me 19 vjet burg për Talo Çelën, një nga personat më të kërkuar të policisë së shtetit i cili dyshohet si autor i disa ngjarjeve kriminale në Tiranë, Durrës dhe Elbasan vitet e fundit ndërkohë që ka pasur disa tentative për atentate ndaj tij.

Përveç dënimit me 19 vjet burg për Talo Çelën, pak ditë më parë, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 24 vite burg për Klement Çalën dhe nga 19 vite heqje lirie për 6 të pandehurit e tjerë, Eldi Çala, Oltjan Veseli, Renaldo Sula, Saimir Çela, Elton Pikli dhe Alkond Bengasi.

Ata akuzohen se në bashkëpunim si grup kriminal, grabitën në 9 prill të vitit 2019, rreth 10 milionë euro në aeroportin e Rinasit.

Të pandehurit akuzohen se kanë pasur role të ndara që nga sigurimi i armëve dhe modifikimi i fugonit që u përdor për të hyrë në pistën e aeroportit për marrjen e thasëve me kartëmonedha në momentin që po ngarkoheshin në avion.

Personazhi kryesor i grupit, Talo Çela u rendit mes pesë personave më të kërkuar të policisë së shtetit në listën e bërë publike më 13 prill.

Së fundi, në Fier u arrestua i plagosur Nuredin Dumani, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore i cili mbeti i plagosur gjatë një përplasje me armë në Elbasan më 29 mars.

Policia dyshon se i shumëkërkuari Dumani ka hyrë në Shqipëri nga Kosova pak ditë para ngjarjes dhe ka shkuar në Elbasan pse të vrarë dy anëtarë të grupit të Talo Çelës, me të cilin është në konflikt prej dy vitesh për shkak të parave të grabitura në aeroportin e Rinasit.

Por ndërsa kishte shkuar për të kryer vrasjen, Nuredin Dumani ra vetë pre e sulmit me armë pasi u qëllua me breshëri dhe mbeti i plagosur kur ishte duke udhëtuar në automjetin tip "BMW" në aksin rrugor Elbasan-Cërrik, në Papër.

Pjesë e këtij konflikti besohet se ka qenë edhe vrasja e vëllait të Talo Çelës më 17 shtator 2020 tek rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan.

Bujar Çela që punonte si taksist po konsumonte kafen në mëngjes kur ndaj tij u qëllua me breshëri nga dy persona të cilët u larguan nga vendi i ngjarjes.

I dyshuar për ekzekutimin ka qenë Nuredin Dumani dhe anëtarët e grupit të tij.

Pretenca për grabitjen në Rinas

19 vjet burg për Talo Çelën

24 vite burg për Klement Çalën

19 vite heqje lirie për Eldi Çalën

19 vjet burg për Oltjan Veselin

19 vjet heqje lirie për Renaldo Sulën

19 vjet burg për Saimir Çelën

19 vjet heqje lirie për Elton Piklin

19 vjet burg për Alkond Bengasin