Basha merr në mbrojtje Alibeajn: Sulm i pakuptimtë, është pushtuar selia

Lulzim Basha që prej dorëheqjes si kryetar i PD nuk është rikthyer në selinë blu, por debatet mes rithemelimit dhe Enkelejd Alibeaj ai i ka komentuar nga oborri i parlamentit. Për gazetarët ai akuzoi Berishën për përçarje.

"Kjo nuk ka një frymë përbashkuese, një grup njerëzish që prej kohësh kanë vendosur interesat personale të Sali Berishës dhe interesat e tyre personale mbi interesat dhe sakrificat e demokratëve".

Madje Basha ka tentuar të marrë në mbrojtje dhe kryetarin e grupit parlamentar Enkeleljd Alibeajn, të cilin mbështetësit e Berishës kërkojnë ta shkarkojnë.

"Kush nuk është me mua dhe kush nuk i nënshtrohet qëndrimit tim shpallet armik, shpallet kulak, siç e keni parë me sulmet e pa parimta që i bëhen kryetarit në detyrë siç është kryetari i grupit parlamentar zotit Enkelejd Alibeaj".

Për Bashën raporti i DASH i konfirmoi akuzat për blerjen e votave, por shton se qëndrimi i Berishës po dëmton PD.

"Raportin e Departamentit të Shtetit dje i cili konfirmon kauzat tona, konfirmon përdorimin e shtetit për të tjetërsuar vullnetin e zgjedhësve ndërkohë që interesat e ngushta personale po mbajnë peng këtë aksion njëlloj siç është pushtuar në mënyrë të paligjshme selia, është pushtuar hapësira e aksionit opozitar".

I pyetur nga gazetarët, ish-kreu i demokratëve shtoi se me Ramën ka komunikuar vetëm dy herë.

"Kam pasur komunikim në dy ngushëllime, një në vitin 2020 dhe një vitin e kaluar për dy humbje respektive në familje, këto kanë qenë komunikimet e mia me Edi Ramën."

Deklaratat e Bashës janë dhënë në kohën kur në rrethe Komisioni i Rithemelimit ka vijuar me zgjedhjen e kryetarëve të degëve, edhe pse gjykata nuk e ka dhënë fjalën e fundit se cili nga grupet do të kryesojë selinë.